Antonio Conte do të humbasë dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit italian si trajner i Napolit, pas një dënimi të rëndë nga Gjykatësi Sportiv i Serie A. Trajneri i kampionëve të Italisë u ndëshkua me karton të kuq gjatë ndeshjes mes Interit dhe Napolit në San Siro, pas një shpërthimi të fortë ndaj arbitrave.

Protestat e tij të ashpra pas një penalltie të akorduar në favor të Interit, për një faull të Rrahmanit ndaj Mkhitaryan, i kushtuan shtrenjtë: Gjykatësi Sportiv e ndëshkoi Conte me dy ndeshje pezullim, si dhe me një gjobë prej 15 mijë eurosh. Ky vendim do ta lërë atë jashtë pankinës në ndeshjen ndaj Parmës këtë të mërkurë dhe me Sassuolon ditën e shtunë. Conte pritet të kthehet në pankinë për sfidën ndaj Juventusit më 25 janar.

Incidenti ndodhi pas akordimit të penalltisë për Interin, kur Conte humbi të gjithë qetësinë dhe iu drejtuar me fjalë të ashpra arbitrit të katërt, Colombo, duke i thënë: “T’ju vijë turp.” Ky reagim ka sjellë dënimin e trajnerit, duke i hapur një tjetër kapitull të tensioneve në këtë sezon të Serie A.