Trajneri do të duhet të bindë drejtuesit se me merkaton e dimrit do të arrijnë një vend në Kupat e Europës


Tri orë mbledhje mbyllen me tone të larta, por pa asnjë masë konkrete


Altin Manallari


Nuk ikën Shpëtim Duro. Por i duhet një plan bindës se në fazën e dytë, Vllaznia do të mundet të realizojë objektivin e saj, atë të arritjes së një vendi në Kupat e Europës në fundin e këtij sezoni të kampionatit shqiptar të futbollit.


Ka pasur më shumë së sa tri orë diskutime, por në fund, “shpëtimi” është përsëri Duro. Njeriu që pritej nga të gjithë që të shkarkohej për të marrë me vete të gjithë fajin, pse Vllaznia nuk ka funksionuar siç pritej në këtë fazë të parë. Por duket se drejtuesit e skuadrës shkodrane janë treguar më të arsyetueshëm. Kanë marrë përsipër, në heshtje, të gjitha përgjegjësitë për mosmbështetjen e një skuadre pretendente, ashtu sikurse Duro kishte theksuar gjatë ditëve të fundit dhe i kanë sugjeruar trajnerit që të përpilojë një tjetër raport të detajuar, tashmë vetëm për çfarë ka nevojë skuadra në fazën e dytë, aty ku objektivi i vetëm i Vllaznisë do të jetë një vend në Kupat e Europës. Gjithçka ka nisur dje në orën 13:00, ku të gjithë krerët e klubit, që nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, e deri tek i fundit, janë mbledhur në një takim për të diskutuar fatet e skuadrës së tyre të zemrës, por që për momentin kanë edhe mundësinë të vendosin për të. Të gjithë të mbledhur në një zyrë, nuk i kanë kursyer tonet e ashpra në këtë analizë që i është bërë ecurisë së skuadrës në fazën e parë, por megjithatë duket se vlerat e trajnerit të vënë në diskutim për një kohë të gjatë kanë prevaluar mbi kritikat. Në fund, nuk ka pasur asnjë vendim të ashpër, ashtu sikurse pritej, se në këtë mbledhje do të kishte masa ndaj trajnerit apo edhe disa lojtarëve. Mësohet se drejtori Armis Grima dhe trajneri Shpëtim Duro kanë bërë një analizë të hollësishme të të gjithë lojtarëve të ardhur në merkaton e bërë gjatë verës. Të dy drejtuesit nuk i kanë kursyer rezervat që kanë për disa futbollistë, e ardhmja e të cilëve tashmë me shumë gjasa nuk do të jetë kuqeblu. Nuk flitet konkretisht me emra, largimet janë të garantuara, nëse do të duhet të mbështetemi në ato që ka thënë vetë Duro në lidhje me të ardhmen e tij kuqeblu. Unanimisht është rënë dakord që të ketë penalitete për disa lojtarë të tjerë, në bazë të kontratave individuale, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. E sigurt është që gjatë këtyre tri orëve mbledhje është bërë një analizë e hollësishme e situatës aktuale të skuadrës dhe e rrugëdaljeve të mundshme nga kjo gjendje. Në përfundim të saj, i është dhënë një rikonfirmim i përkohshëm trajnerit aktual dhe stafit të tij teknik. Por rikonfirmimi është shoqëruar me disa detyra shtëpie: Në një mbledhje të afërt, e cila do të duhet të zhvillohet të premten, të paraqitet një material i hollësishëm për strategjinë e përmirësimit të situatës aktuale të skuadrës Vllaznia, e cila ka zhgënjyer jo pak admiruesit e saj.


Shpëtim Duro do të duhet të vazhdojë punën e tij në përgatitjen e skuadrës për pjesën e mbetur të sezonin e ardhshëm. Gjithsesi duket se mbledhja e së premtes do të zbardhë më shumë për të ardhmen e kësaj skuadre.