Shqipëria U21 do të luajë në Zvicër ndeshjen e dytë miqësore të planifikuar për muajin shtator, duke u vënë përballë helvetëve që kanë një ekip të nivelit të lartë në këtë grupmoshë. Një miqësore që vjen pas asaj me Gjermaninë, ku Shqipëria u mund në “Elbasan Arena” me shifrat 0-2.

Një humbje të cilën Bushi e sheh si një mënyrë të mirë për të mësuar për të ardhmen, i bindur se ndeshje të tilla si ajo me Gjermaninë nuk do përsëriten në të ardhmen, siç e theksoi në fjalët e tij për FSHF.

“Ndeshja me Gjermaninë ishte një test i vështirë dhe real për ekipin tonë. Mendoj se ishte ndeshje shumë e luftuar sidomos pjesa e parë, duke pasur parasysh që kundërshtari është një nga më të mirët në botë. Mendoj që diferenca u bë në pjesën e dytë, ku ekipi gjerman bëri 10 ndërrime. Aty pësuam dy gola nga gabime individuale, që nuk duhet t’i pësonim. Ne jemi një ekip modest, duke u zhvilluar dhe përmirësuar gjatë gjithë kohës. Kur luan me këtë lloj intensiteti kaq të lartë si ekipi gjerman, të vënë ata në vështirësi të gabosh. Jam shumë i sigurt që në të ardhmen ose në Euro 2027, po të ndeshemi sërish me këtë Gjermani, nuk do të kemi këtë lloj rezultati. Kam besim te ky grup që do të zhvillohet dhe do të rritet shumë. Ndeshja kundër Zvicrës? Është po i njëjti nivel kundërshtarësh. Është një ekip që ne e kemi mundur para një viti. Mendoj se ekipi është më i konsoliduar tani. Kemi luajtur para tre ditësh, nuk jemi në gjendjen më të mirë, por edhe këtë do ta bëjmë po aq mirë sa ndaj Gjermanisë, duke bërë edhe 4-5 ndërrime në formacionin bazë sepse kemi nevojë për rotacion dhe rikuperim e forca të reja. Mendoj se do të jetë një test po aq real sa ai ndaj Gjermanisë. Mendoj se ne kemi krijuar një identitet si ekip, që mbrohemi në bllok të mesëm ose të ulët shumë fort dhe kundërsulmojmë shumë shpejt. Duhet të jemi më shumë ndëshkues me kundërshtarin në ato mundësi që na jepen”, tha Bushi.