Legjenda e mundjes profesioniste, Ric Flair, është dërguar në spital të premten pasdite në Florida, pasi u rrëzua në një restorant, ku mori dëmtime në kokë dhe në zonën e syrit.

Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pasi 77-vjeçari njoftoi se ishte diagnostikuar me një mpiksje gjaku në këmbë.

Sipas raportimit të TMZ, Flair u rrëzua teksa po kalonte rrugën, pasi ishte larguar nga një lokal në Tampa. Në vendngjarje ndërhynë ekipet e urgjencës, të cilat i dhanë ndihmën e parë përpara transportimit të tij për trajtim mjekësor.

Raportimet bëjnë të ditur se ish-ylli i WWE-së pësoi prerje në kokë dhe pranë syrit, ndërsa ky i fundit kishte gjakderdhje të konsiderueshme. Ekziston gjithashtu dyshimi se ai mund të ketë pësuar një tronditje të trurit. Deri më tani, nuk ka informacione të plota mbi gjendjen e tij shëndetësore pas shtrimit në spital.

Vetëm disa orë përpara incidentit, Flair kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në një aktivitet me fansat në Seattle, për shkak të problemit shëndetësor të zbuluar së fundmi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shpjegoi se mjekët i kishin kufizuar udhëtimet në tre deri në katër orë, pasi mpiksja e gjakut në këmbë kërkonte kujdes të veçantë. Ai bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do t’i nënshtrohet një procedure mjekësore për trajtimin e venës së prekur, me shpresën se më pas do të mund të udhëtojë pa këto kufizime.

Flair theksoi se mpiksjet e gjakut mund të jenë serioze dhe kërcënuese për jetën, ndaj vendosi të ndiqte këshillat e mjekëve dhe të mos rrezikonte shëndetin e tij.

Ric Flair konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme në historinë e mundjes profesioniste. Ai është përfshirë dy herë në Sallën e Famës së WWE-së dhe ka ndërtuar një karrierë shumëvjeçare, duke u kthyer në një prej emrave më të njohur të këtij sporti-spektakël.

Top Channel