FSHF dhe FFK kontaktojnë të njëjtët kundërshtarë dhe të njëjtët lojtarë
Ermal Kuka
Afrimi i zhvillimit të ndeshjes së parë miqësore të kombëtares kosovare në arenën ndërkombëtare me miratimin e FIFA-s, po shfaq çdo ditë e më shumë një përçarje të mirëfilltë mes institucioneve që drejtojnë futbollin shqiptar dhe atij kosovar. Ndonëse logjika thotë që ndeshja miqësore e marsit duhej të ishte mes Shqipërisë dhe Kosovës, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) jo vetëm që nuk po marrin në konsideratë një gjë të tillë, por duket se po i prishin punë njëra-tjetrës.
Nëse “zyrtarisht” drejtuesit e FSHF janë të lumtur me njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, jozyrtarisht, veprimet e kohëve të fundit të FFK-së nuk janë pritur mirë. Flitet prej kohësh që FSHF është në bisedime me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kolumbisë për miqësoren e marsit. Por duke parë një mundësi të tillë që shfaqet në horizont, sipas mediave kosovare, edhe FFK ka nisur të kontaktojë të njëjtin kundërshtar, për të mundësuar zhvillimin e një ndeshjeje të nivelit të lartë që në “debutimin” e saj. Të dy federatat po kontaktojnë me të njëjtit menaxherë që organizojnë ndeshje dhe nuk kanë treguar asnjë sinjal se do t’i hapin rrugë njëra-tjetrës në shenjë bashkëpunimi të ndërsjellë apo qoftë edhe për çështje respekti.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sa u përket lojtarëve që do të grumbullohen në këto ndeshje të muajit mars. Mediat kosovare kanë zbuluar se mes emrave që trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, ka kontaktuar, janë edhe dy emra mjaft të njohur që normalisht duhej të vishnin fanellën kuqezi të Shqipërisë në mars: Loret Sadiku dhe Besart Berisha. Trajneri De Biazi sheh qendërmbrojtësin që braktisi Suedinë si titullarin e të ardhmes të përfaqësueses shqiptare dhe do të dëshironte ta shihte Sadikun në fushë që në ndeshjen e ardhshme. Ndërsa Berisha, prej 2 vitesh gjendet në Australi dhe jashtë radarëve të kombëtares kuqezi për shkak të largësisë nga Europa. Megjithatë, gjatë kohëve të fundit, trajneri italian i Shqipërisë i ka bërë ftesë lojtarit që të bëhej pjesë e kuqezinjve në eliminatoret e ardhshme për të dhënë kontributin e tij. Por sipas të përditshmes kosovare “Zëri”, të dy lojtarët e mësipërm, jo vetëm janë kontaktuar nga përfaqësuesit e FFK-së, por edhe kanë rënë dakord që të veshin fanellën e Kosovës në këtë ndeshje të parë ndërkombëtare.
Një lëvizje e tillë tregon qartësisht se tashmë Shqipëria dhe Kosova cilësojnë njëra-tjetrën si rivale dhe bashkëpunimi mes palëve nuk është ai që presin të gjithë futbolldashësit shqiptarë. Nëse çështja e kontakteve me kundërshtarë të njëjtë për miqësoret mund të anashkalohet disi, ajo e kontaktimit të të njëjtëve lojtarë, vërteton se marrëdhënia mes FSHF-së dhe FFK-së nuk përfaqëson dëshirën e tifozëve shqiptarë. Këta të fundit, kanë kërkuar vazhdimisht që të punohet bashkërisht për të rritur nivelin e futbollit shqiptar dhe për të ndërtuar vetëm një kombëtare që do të përfaqësojë denjësisht të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Si FSHF, ashtu edhe FFK, janë interesuar që të zhvillojnë me 5 mars një miqësore kundër Kolumbisë në Zvicër
Mediat kosovare pretendojnë se Besart Berisha dhe Loret Sadiku do të veshin fanellën e Kosovës që në mars