Trajneri Xhani De Biazi: Do të synojmë kualifikimin, por na duhen dy lojtarë të tjerë


Altin Manallari


Kanë kaluar vetëm rreth 48 orë nga miqësorja e fituar kundër Iranit, prandaj trajneri Xhani De Biazi në prononcimin e djeshëm dukej më i sigurt në atë që thoshte para gazetarëve shqiptarë.


Cila është ajo që e kënaq trajnerin, fitoret në miqësore apo loja?


Do të thosha pa hezitim nga të dyja. Gjithsesi, para së gjithash jam i kënaqur me këtë grup lojtarësh, që po punojmë bashkë. Është një grup shumë i motivuar dhe, që e di mirë se kush janë të dobishmit, e kush jo. E dinë mirë se askush nuk ka imunitet. Besoj se jemi në fillimin e duhur, për të ndërtuar diçka të mirë. Jam i kënaqur me rezultatin, pasi ai gjithmonë të jep besim në punën që bën. Sipas meje, rezultatet nuk mbërrijnë kurrë rastësisht. Është një skuadër që luan shkurt (në kombinime), me shumë dëshirë dhe është mjaft agresive. Mund të gabojë në disa pasime, por sipas meje, kjo është normale në një ndeshje.


Në eliminatore do të luani me të njëjtën skuadër, apo do ta përshtatni atë në varësi të kundërshtarit?


Mendoj se filozofia me të cilën duhet të lëvizë kjo skuadër, është të njohë limitet e saj, pa bërë fluturime fantazish, të jetë me këmbë në tokë. E di që na presin eliminatore tepër të vështira. Për këtë ne do të përdorim të gjitha forcat tona, edhe për t’u kualifikuar ndoshta.


Ju e njihni tashmë këtë skuadër, deri ku mund të shkojë ajo?


Besoj se kjo skuadër ka shumë pjesë të çmuara, që të ndihmojnë në fushë të bësh një ndeshje të madhe. Duhet të kursejnë pak energji dhe, të bëjnë atë që ata kanë në mundësitë e tyre. Kjo, sipas meje, është një meritë e madhe. Besoj se duhet të shfrytëzojmë mundësitë tona, të një skuadre kompakte, krenare, që nuk tërhiqet kurrë, dhe jo aq shumë teknike, që kanë skuadrat e tjera, si Zvicra, Norvegjia apo Sllovenia. Megjithatë, në ato 90 minuta lojë, duhet të jemi më të qartë, më të përqendruar, më të gatshëm për të bërë gjërat që na kërkohen.


Cili është objektivi juaj konkret?


Nëse do të jemi me fat, nëse do të jemi të zotë, nëse do të vrapojmë më shumë se të tjerët, atëherë përfundimi është logjik. Duke i parë në letër, tre kundërshtarë janë më të fortë se ne. Ne luajtëm dhe fituam kundër një skuadre (Iranit) që ishte e 51-a në FIFA, por kundërshtarët tanë renditen akoma dhe më mirë, ndodhen në vendin e 25, 18, 15, pra ka diferenca me ne. Gjithsesi, diferencën e bëjnë lojtarët e mëdhenj. Dhe nëse ne do të kemi lojtarë të mëdhenj, atëherë do të arrijmë të bëjmë diçka të mirë. E rëndësishme është që, në këtë cikël, thuajse 15 muaj që na ndan nga cikli eliminator, mund të gjejmë dy lojtarë, që mund të jenë decizivë dhe përcaktues.


Kush do të jetë portieri titullar i Kombëtares, pasi konkurrenca duket e fortë mes Ujkanit, Shehit dhe Berishës?


Do të luajë ai që do të jetë më në formë në prag të ndeshjeve. Ai që është i gatshëm. Jam i kënaqur nga paraqitja e Berishës kundër Iranit, pastaj nëse në eliminatore do të jetë Ujkani, Berisha apo Shehi, këtë do ta vendosim në momentin e duhur.


Keni pasur rezerva për mesfushën. Çfarë mund të korrigjonit gjatë miqësores që ka mbetur dhe a mund ta bëjë Hyka fantazistin?


Për të qenë i sinqertë, për sa i përket mesfushës jam shumë i kënaqur, pasi nuk është e lehtë të kesh një mesfushë që mbrohet kur ka tre sulmues përpara. Ajo që më shqetëson, ka të bëjë me këndvështrimin taktik, pasi ishte një skuadër që nuk ishte kurrë e zgjatur, për të vendosur në vështirësi kundërshtarin, pasi nuk gjente hapësirë për luajtur topin. Problemi ynë është se kemi kundërshtarë të fortë, që nuk ta bëjnë lojën të lehtë, të marrin kohën dhe, kjo, sipas meje, krijoi problemet edhe ndaj Iranit. Gjithsesi, jam i qetë nga mesfusha mbrojtëse.