Kampionati
Rreth 400 sportistë nga i gjithë kontinenti, nga të cilët 12 shqiptarë, në garë për medaljet
Më në fund gjithçka është gati. Shqipëria do të mbajë sot frymën për nisjen zyrtare të Kampionatit Europian të Peshëngritjes 2013 për të Rritur, i cili do të zhvillohet në Tiranë, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Kjo ngjarje historike e sportit në Shqipëri, e kushtueshme jo pak, por 600 mijë euro, ka ngritur siparin që me 5 prill dhe mbyllet më 15 prill. Që nga e premtja e deri dje janë përfunduar të gjitha përgatitjet teknike dhe sot do të nisin zyrtarisht garat në pedanë. Plot 32 shtete të kontinentit, si: Kosova, Italia, Rumania, Azerbajxhani, Ukraina, Turqia, Spanja, Bullgaria, Franca, Rusia, Armenia, Polonia, Moldavia, Suedia, Greqia, Danimarka, Finlanda, Republika Çeke, Bjellorusia, Norvegjia, Kroacia, Sllovakia, Sllovenia, Gjermania, Bosnjë-Hercegovina, Estonia, Letonia, Gjeorgjia, Hungaria, Zvicra, Holanda së bashku me Shqipërinë, do të përfaqësohen në këtë eveniment të rëndësishëm me 400 sportistë. Ndërsa do të jenë 12 sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë europian, dy shtangiste femra e 10 meshkuj dhe shpresat për medalje janë të mëdha. Dy femrat e vetme janë nënkampionia e kontinentit, Romela Begaj, si dhe e rikthyera Fetije Kasaj. 26-vjeçarja Begaj vjen në këtë veprimtari duke synuar më shumë se kurrë titullin e kampiones së Europës, duke përfituar edhe nga fakti që do të konkurrojë në Tiranë, përballë publikut vendas. Por edhe 27-vjeçarja Kasaj ka treguar se po rikthehet gradualisht në nivele të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Për meshkuj, në mungesë të Erkand Qerimajt dhe Hysen Pulakut (të pezulluar për shkak të dopingut), sportistët që premtojnë medalje janë Daniel Godelli, i cili ka shërbyer edhe si simbol i imazhit të Kampionatit Europian të Tiranës, dhe të rivalit të tij në të njëjtën peshë (69 kg), Briken Calja. 21-vjeçari Godelli, një herë fitues i titullit të Kampionit të Botës për të rinj dhe medalist në kampionatet të kësaj grupmoshe, por edhe të të rriturve, do të synojë ashtu si dhe Begaj, të përfitojë nga mbështetja e publikut të zjarrtë në “Asllan Rusi”. Për sa u përket të tjerëve, rezultat të mirë shpresohet edhe nga 29-vjeçari Isa Bala, 27-vjeçari Endri Haxhihyseni dhe 24-vjeçari Ervis Tabaku. Ndërsa për pjesën e mbetur të sportistëve të rinj shqiptarë, ky Europian do të jetë një përvojë e mirë për ta. Ora 12:00 e ditës shënon edhe startin zyrtar me garën e femrave në peshën 48 kg, ndërsa në orë 17:00 do të zhvillohet ceremonia e hapjes.
Sportistët shqiptarë
MESHKUJ
Briken Calja 69 kg
Daniel Godelli 69 kg
Krenar Shoraj 77 kg
Xhulio Prroni 85 kg
Endri Haxhihyseni 85 kg
Ervis Tabaku 94 kg
Isa Bala +105 kg
Sportistët shqiptarë
FEMRA
Romela Begaj 58 kg
Fetije Kasaj 58 kg
MESHKUJ
Anxhelo Shabani 56 kg
Arbër Çerçizi 56 kg
Romario Avidraj 62 kg