Dëmtohet Meha në stërvitje, Sadiku-Çani janë titullarë, Bala-Vajushi nga stoli


Altin Manallari


Shqipëri-Kamerun po numëron orët e fundit para se të ngjitet në skenën e “Stade de Geneve” në Zvicër. Takimi do të luhet në orën 20.45 dhe do të jetë ndeshja e fundit e Kombëtares sonë për vitin kalendarik 2012-2013. Kjo do të kurorëzojë edhe 1-vjetorin e trajnerit italian Xhani De Biazi në timonin e përfaqësueses shqiptare. Tekniku karizmatik nuk e ka fshehur as në prag të kësaj miqësoreje lukse, se një fitore do të ishte mënyra më e mirë për të shijuar më së miri këtë festë. Në 365 ditë, italiani ka provuar gjithçka, pasi skuadra ndryshon nga ndeshja në ndeshje, jo vetëm në emra por edhe në modulin e lojës. Megjithatë fitorja sot do të ishte edhe një dhuratë e bukur për shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Shqipëria vazhdon përgatitjet në Gjenevë, ku mbrëmjen e së mërkurës do të luajë ndeshjen miqësore kundër Kamerunit. Kjo do të jetë sfida e fundit për këtë vit për skuadrën kuqezi dhe në të njëjtën kohë, mundësia e fundit e trajnerit Xhani De Biazi për të provuar lojtarët e rinj të grumbulluar prej tij. Tekniku italian ka thirrur në listën e 21 futbollistëve Bekim Balaj e Armando Vajushin, ndërsa ka rikthyer në përfaqësuese edhe Elis Bakajn. Të tre futbollistët po kalojnë një periudhë të mirë në skuadrat e tyre, ndërsa kundër Kamerunit do të kenë mundësi të gjejnë hapësira në formacion. Gjatë seancës së fundit stërvitore, De Biazi ka punuar në aspektin taktik, duke provuar skemat e tij me lojtarë të ndryshëm. Italiani do të zyrtarizojë formacionin vetëm gjatë ditës së ndeshjes, megjithëse surprizat do të jenë të pakta. Në portë shanset më të mëdha i ka Etrit Berisha. Mavraj dhe Cana do të formojnë sërish dyshen në qendër të mbrojtjes, ndërsa në krah të tyre pritet të aktivizohen Vrapi nga e majta dhe Lilaj nga e djathta. Vila dhe Roshi do të formojnë krahët e mesfushës, ku pritet të angazhohen edhe Bulku e Bakaj. Planet e trajnerit i ka prishur disi dëmtimi i Alban Mehës gjatë stërvitjes së djeshme dhe që do të mungojë për këtë miqësore. Sadiku dhe Çani pritet të jetë dyshja titullare e sulmit kuqezi. Duke përfituar nga mungesa e Bogdanit dhe Salihit, minuta në këmbë do të kenë edhe sulmuesit e rinj, të cilët në minutat si zëvendësues do të duhet të bindin De Biazin. Fakti që është një miqësore nuk i favorizon shqiptarët e shumtë në Zvicër për të ndjekur skuadrën e zemrës sonte në “Stade De Geneve”, por gjithsesi mendohet së në tribunat e stadiumit do të ketë të paktën 3 mijë shqiptarë. Nën presion duket se do të jetë Kameruni i Samuel Eto’o, i cili kërkon me çdo kusht fitoren kundër Shqipërisë, për të shmangur një tjetër dështim pas kryqëzimit që iu bë pas eliminimit nga Kupa e Kombeve.


 


Kameruni


Dëmtimi misterioz i Song, mungon ndaj kuqezinjve


Mesfushori i Barcelonës, Aleksandre Song, nuk është grumbulluar me Kamerunin. Por çuditërisht, mosardhjen e Song për ndeshjen ndaj Shqipërisë, shtypi spanjoll e cilëson si një problem më pak për trajnerin e luanëve të Afrikës Jean-Paul Akono. Sipas së përditshmes spanjolle “Sport”, që është shumë pranë klubit të Barcelonës, mungesa e Song shmang përplasjen e tij me sulmuesin dhe yllin e Kamerunit, Samuel Eto’o. Lojtari i katalanasve thuhet së vuan një dëmtim në shpinë dhe për këtë arsye është lënë pushim pas konsultimit të mjekëve të Kamerunit me ata të Barcelonës. Sulmuesi i rusëve të Anzhit ka hapur një polemikë, kur deklaroi se “nuk ka konflikte midis yjeve, pasi unë jam ndër më të mirët në botë ndërsa Song nuk është as tek më të mirët e Kamerunit”.