Renditja e FIFA-s
Kombëtarja kuqezi ka grumbulluar 496 pikë duke u katapultuar 17 vende më lart sesa në muajin tetor
Kombëtarja shqiptare ka bërë një ngjitje të konsiderueshme prej 17 vendesh në renditjen mujore të FIFA-s, për muajin nëntor. Përfaqësuesja kuqezi është ngjitur në vendin e 67-të, falë 496 pikëve të grumbulluara, në renditjen e FIFA-s të shpallur dje në faqen zyrtare të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA). Kuqezinjtë kanë fituar 17 vende, në krahasim me klasifikimin e fundit të një muaji më parë. E gjitha kjo pas rezultateve pozitive në eliminatoret e kampionatit botëror, ku skuadra e trajnerit Xhani De Biazi ka 2 fitore e 2 humbje në 4 ndeshjet e para përkatësisht ndaj Qipros, Zvicrës, Islandës dhe Sllovenisë. Kjo është njëkohësisht edhe renditja më e mirë e Kombëtares për vitin 2012, ndonëse rekordi mbetet sërish ai i Josip Kuzhesë, kur ekipi ynë arriti vendin e 50-të. Sa u takon skuadrave të grupit tonë kualifikues për “Botërorin 2014”, e para është Zvicra e Otmar Hicfeldit, në vendin e 16-të me 966 pikë, ndërsa më pas vjen Norvegjia, në vendin e 26-të me 778 pikë. Edhe pse e mundëm në kualifikuesen e fundit në “Qemal Stafa”, Sllovenia renditet para kombëtares sonë, pikërisht në vendin e 49-të me 593 pikë. Kuqezinjtë kanë lënë pas në këtë renditje dy rivalë në grupin tonë kualifikues, konkretisht Islandën, në vendin e 96-të, dhe Qipron, e pozicionuar në vendin e 127-të. Vlen të theksohet fakti se kundërshtari ynë i radhës në miqësoren e këtij muaji, Kameruni, pozicionohet i 62-ti, me 520 pikë, vetëm pesë vende më lart se Shqipëria. Tri vendet e para mbahen nga Spanja, kampione e Botës dhe e Europës në fuqi, e ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina.