Shqipëria ka regjistruar një sukses të rëndësishëm në Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit, i zhvilluar në Kosovë nga data 5 deri më 7 qershor, duke u kthyer në një nga skuadrat më të spikatura të aktivitetit ku morën pjesë 10 shtete të rajonit.
Ekipi kuqezi u paraqit me dinjitet në kategoritë Elitë, U19 dhe U17, duke siguruar një medalje ari dhe një medalje argjendi.
Në garën më prestigjioze, atë të kategorisë Elitë, Shqipëria arriti suksesin më të madh të kompeticionit. Falë një bashkëpunimi të mirëorganizuar ekipor dhe një strategjie të suksesshme gare, Valentino Kamberaj u shpall kampion ballkanik, duke i siguruar Shqipërisë medaljen e artë dhe ngjitjen në majën e podiumit.
Në këtë fitore kontribuuan edhe sportistët Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Leo Piku, Olsian Veliaj dhe Alesio Kola, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në mbështetjen taktike të ekipit gjatë garës.
Ndërkohë, në kategorinë U-19 (Junior), Leonardo Musta arriti një tjetër rezultat pozitiv për Shqipërinë, duke fituar medaljen e argjendtë pas një gare të fortë dhe shumë konkurruese.
Federata Shqiptare e Çiklizmit ka përgëzuar sportistët, trajnerët dhe stafin përfaqësues për performancën e arritur, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e çiklizmit shqiptar në arenën rajonale.
