Kombëtarja shqiptare U-21 është mundur dje me rezultatin 2-0 në ndeshjen përballë bashkëmoshatarëve të Spanjës. Por skuadra e drejtuar nga Skënder Gega ka luajtur si e barabartë përballë Kampionëve të Europës në fuqi, në radhët e të cilëve luajnë shumë futbollistë që shkëlqejnë me skuadra të kampionatit spanjoll apo atij anglez.
Në takimin e zhvilluar dje në “Ruzhdi Bizhuta”, kundër çdo parashikimi, ka qenë Shqipëria ajo që ka diktuar ritmin e lojës, duke izoluar më së miri mesfushën e frikshme të Spanjës, me lojtarë si Munian e Deufoleu, që u neutralizuan nga Kaçe dhe Shala. Ndërkohë, sulmuesi i Real Madridit, Alvaro Morata, në çdo moment e kishte të vështirë t’i shkëputej mbrojtjes kuqezi që e mbulonte hap pas hapi. Edhe rastet më të mira të pjesës së parë i përkasin kombëtares kuqezi, me Shkurtajn që kishte mundësinë të shënonte golin e avantazhit që në minutën e 15, por nuk arriti të kalonte portierin Paçeko.
Por dëshira për të luajtur hapur dhe për të kërkuar një fitore ndaj spanjollëve shtyu kombëtaren shqiptare drejt gabimeve në pjesën e dytë, ku ai i minutës së 66 ishte vendimtar. Pas një pavëmendjeje të mbrojtjes, Serxhi Roberto u shfaq i vetëm përballë portierit Teqja, duke zgjedhur më pas t’i pasonte topin Iker Muniain që nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e boshatisur. Nga ky moment, Shqipëria zhbilancohet para, duke lënë hapësira të rrezikshme në prapavijë dhe nga ky çekuilibrim vjen edhe goli i dytë me autor Deulofeu, i cili falë një aksioni individual dyfishoi shifrat për skuadrën e tij dhe mbylli ndeshjen.
“Të vjen keq që ndeshja përfundoi në këtë mënyrë”, ishin fjalët e Gegës pas kësaj sfide. “Fitorja e Spanjës ishte e parashikueshme, duke parë cilësitë në përbërje. Por këtë radhë u mundëm nga dy gabime amatoreske që bëmë në mbrojtje. Megjithatë, paraqitjet e fundit që bëri skuadra jonë, na bëjnë të shpresojmë tek e ardhmja e këtij ekipi”, tha trajneri i U-21. E. Kuka
Shqipëri-Spanjë 0-2
Shënues: 66’ Muniain, 88’ Deulofeu
Shqipëria: Teqja, Hysaj, Premçi, Gjokaj, Kotobelli, Shala, Kaçe, Kruja (46’ Bardulla), Batha (79’ Rrahmani), Gjino (59’ Muriqi), Shkurtaj.
Tr.: S. Gega
Spanja: Paçeko, Amat, Serxhio Gomez, Karvahal, Kampanja (79’ Darder), Serxhi Roberto (69’ Saul), Bernat, O. Torres, Muniain (89’ Samperio), Morata, Deulofeu.
Tr.: J. Lopetegui
KV: Batha, Gjokaj, Kotobelli / Amat
Gjyqtarë: M. Panai, M. Demetriades, M. Tsentis, A. Kristodulu (Qipro)