Islanda na mund në “Qemal Stafa”, duke na dhënë një goditje të rëndë në shpresat për kualifikim
Surprizë e pakëndshme e Islandës në “Qemal Stafa”. Na mund me rezultatin 1-2 në shtëpi dhe u jep një goditje të rëndë shpresave tona për të synuar një kualifikim historik në Botërorin e Brazilit 2014.
Ishte një ndeshje e shumëpritur, ku të gjithë shpresonin te një trepikësh përballë një kundërshtari modest, që renditet shumë më poshtë se sa ne në renditjen e FIFA-s, por në fund ka mbetur vetëm një zhgënjim i madh. Trajneri Xhani de Biazi aktivizoi ata që ai mendoi se ishin më të përshtatshmit për të arritur objektivin, me Canën e Mavrajn në qendër të mbrojtjes dhe Currin në stol (ende jashtë formës më të mirë). Në sulm, tekniku italian i kishte besuar dyshes Çani-Sadiku. Ndonëse shpresat për të arritur një rezultat më të lartë se në edicionet e mëparshme eliminatore u inkurajuan nga dy ndeshjet e para të mira dhe përbërja në dukje e lehtë e grupit. Ndeshja në “Qemal Stafa” nisi nën reshje të dendura shiu, me Shqipërinë që kontrollon lojën dhe tenton të shënojë me Çanin e Bulkun, por Islanda befasoi në minutën e 18. Duke shfrytëzuar një moment pasigurie të mbrojtjes dhe hezitimi në dalje të Ujkanit, Saeverson godet nga pranë me kokë, topi kalon nën këmbët e portierit tonë dhe përfundon në rrjetë. Në minutat në vazhdim, kuqezinjtë përpiqen të reagojnë. Fillimisht rrezikon Cana me kokë, pas një goditje dënimi e në dy goditje brenda një aksioni, Meha e Sadiku. Megjithatë, baraspeshën do ta sillte në minutën e 29 sulmuesi Çani, i cili nga pranë, pasi i shmanget mbulimit të dy mbrojtësve, kthen në gol pasimin e artë nga brenda zonës të Mehës. Deri në fundin e pjesës së parë, rastet e pastra do të mungojnë, ndonëse ekipi ynë vazhdon të ushtrojë një presion më të lartë. Në minutat e fundit të takimit, reshjet e dendura të shiut pothuajse e bëjnë të paluajtshëm terrenin, duke favorizuar lojën e shtatlartëve islandezë. Për shkak të reshjeve, pjesa e dytë nisi me rreth 20 minuta vonesë. Në 15 minutat e para të pjesës së dytë, regjistrohen vetëm dy raste nga larg, i Bulkut dhe Gunarson. Ndeshja do të gjallërohej në të 60’, kur në një shpërthim nga e djathta, Çani pengohet në mënyrë flagrante brenda zonës, por pavarësisht protestave të ekipit tonë, gjyqtari finlandez vazhdoi lojën. Minutat në vazhdim do të ishin më të mira për Kombëtaren tonë, që i afrohet dy herë fare pranë golit, me një goditje të Sadikut nga hyrja e zonës, ku portieri mik bëri një grushtim fluturimthi, në një top të arritur vetëm me majat e gishtërinjve dhe në një gjuajtje të Roshit, i futur në fushë, në pjesën e dytë, që shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme një top të artë, nga një pozicion ballor, vetëm pesë metra nga porta, pas një krosimi të ulët të Bulkut. Pikërisht në këto minuta të mira, në një kundërzbritje, gjyqtari akordoi një goditje dënimi për Islandën, pas një kontakti të dyshimtë midis Mavrajt dhe Hallfredson. Nga 20 metra distancë, goditja e Sigurdson gjen trekëndëshin në krahun e Ujkanit, i cili gjithsesi reagon me vonesë, duke mos mundur të ndalojë kalimin në avantazh të ekipit mik. Në minutat e mbetura, skuadra jonë përfaqësuese, nën efektin e tronditjes psikologjike, pas golit të pësuar, nuk është e aftë të prodhojë asgjë të rëndësishme. Rezultati fiksohet 1-2 për miqtë. Një humbje e pamerituar, por tani gjithçka mbetet të luhet ndaj Sllovenisë të premten në “Qemal Stafa”.
Trajneri i Kombëtares
Justifikohet De Biazi: Terreni dhe gabimet, na ndëshkuan
Një humbje e papritur, e cila ka lënë të zhgënjyer edhe vetë trajnerin e Kombëtares Xhani de Biazi. Tekniku ka theksuar vazhdimisht se e kishte paralajmëruar skuadrën që të ishte e kujdesshme në goditjet standarde, por ishin pikërisht këto të fundit që e ndëshkuan Shqipërinë mbrëmë. “Besoj se luajtëm shumë më mirë se sa kundërshtari. Pësuam golin e parë pas një gabimi të mbrojtjes tonë. Faulli për golin e dytë erdhi në një moment kur ne kishim topin në zotërim. Megjithatë, treguam një futboll të mirë në fushë. Por më vjen keq, sepse ndoshta edhe kushtet e rënda të motit e kushtëzuan edhe këtë takim. Na vjen keq, sepse kishim gjithë javën që kishim folur për këto goditje standarde të kundërshtarit, që janë një pikë e fortë e tyre. Dhamë gjithçka në fushë, por ishte e pamundur që të arrinim të paktën të barazonim”. Tekniku italian evidentoi edhe formën jo të mirë të disa futbollistëve, mes të cilëve evidentoi paraqitjen jo në nivel të Mehës. “Disa lojtarë nuk kishin formën e mirë fizike, por siç e thashë, ndikoi edhe terreni. Nga Meha, në fakt prisja më shumë, pasi ai mund ta zgjidhë ndeshjen në çdo moment. Në pjesën e dytë mendova të fus Roshin dhe besoj se ai ndryshoi diçka në lojën tonë. Besoj se Salihi ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. Dhe e ka justifikuar. Mendova që ta hidhja atë në fushë, pasi përshtatet mirë me Çanin. Tentuam për ta fituar ndeshjen, por ky ishte fati ynë. Gjithsesi u mundova të bëj ndërrimet e duhura në sulm. Pesë minuta para golit të dytë u kërkova lojtarëve që të ishin shumë të përqendruar dhe të luanin me katër mbrojtës të rreshtuar siç duhet. Goli i kundërshtarit në fakt erdhi nga një goditje dënimi, e cila m’u duk se nuk ishte. Ekipi bëri një ndeshje të mirë në krahasim me Qipron, ishte një ndeshje e vështirë, por sigurisht nuk duhet të pësonim gola në fushën tonë. Kisha kërkuar që të ishim të kujdesshëm, sepse Islanda ishte një ekip jo i lehtë, por tashmë është shumë vonë, pasi gjithçka ka mbaruar”, përfundoi trajneri De Biazi.