FSHÇ organizon garën e hapur “Cross Country Marathon”, më 3 janar


Shtegi-i-gjelberFederata Shqiptare e Çiklizmit, Bashkia e Tiranës dhe “Bike Club Tirana” ka organizuar garën “Cross Country Marathon” (Shtegu i Gjelbër), një garë me biçikleta “Mountain Bike” e hapur për amatorë dhe profesionistë. Gara, me 60 pjesëmarrës gjithsej, do të zhvillohet në datë 3 janar 2016 në trajektoren e re të quajtur “Shtegu i Gjelbër” që lidh Tiranën me Durrësin, me një gjatësi që shkon 68 kilometra. Gara nis në orën 09:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa mbyllet në plazhin e Golemit (qendër). Sipas organizatorëve të garës, kronometrimi fillon në start dhe mbaron në finish. Përgjatë shtegut, do të ketë 4 pika “Check Point”, të cilat janë edhe pika furnizimi me ujë për pedalistët. Në pikën CP-3 do të ketë 10 minuta neutralizim kohe i detyruar për çdo garues, ku do të shërbejë edhe për pikë asistence mekanike. Rregullorja e garës nuk lejon ndërrimin e biçikletës gjatë garës. Ndërsa fuqia shtytëse e biçikletës duhet të jetë vetëm nëpërmjet fuqisë fizike të sportistit. Pjesëmarrësit do të ndahen në dy kategori, profesionistë dhe amatorë. Kategoria (P-1) do të përfshijë të lindurit deri më 31 dhjetor 1996, ndërsa (P-2) do të jenë të lindurit pas 31 dhjetorit 1996. Për kategorinë amatore (A-1) do të garojnë të lindurit deri më 31 dhjetor 1985, ndërsa për (A-2), të lindurit pas 31 dhjetorit 1985. Nisja e garës do të jetë në grup dhe do të marrin pjesë meshkuj dhe femra, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. Organizatorët kanë menduar që do të ketë fitues të përgjithshëm për çdo kategori. Të gjithë pjesëmarrësit nuk do të paguajnë tarifë për të garuar, ndërsa siguracioni ndaj aksidenteve është i detyrueshëm 600 lekë për person. Gara do të ketë trofe dhe çmime në vlerë monetare, ku vendi i parë i përgjithshëm do të vlerësohet me 500 euro dhe një kupë; vendi i dytë i përgjithshëm 250 euro dhe kupë; vendi i tretë i përgjithshëm 150 euro dhe kupë. Ndërsa vendi i parë i çdo kategorie do të vlerësohet me 100 euro kupon servisi dhe kupë; vendi i dytë i çdo kategorie 60 euro kupon servisi dhe kupë; vendi i tretë i çdo kategorie 40 euro kupon servisi dhe kupë. Ndërkohë sot në orën 09:30 do të organizohet pedalimi i të gjithë trajektores së garës me vendin e nisjes te Pallati i Kongreseve në Tiranë. Regjistrimet kanë nisur në datën 15 dhjetor dhe përfundojnë më 31 dhjetor 2015.