Vendasit morën një fitore të merituar, të ndihmuar edhe nga gafat e shumta të mbrojtjes së kampionëve të Shqipërisë
Zhgënjim i madh pas humbjes 3-0 në ndeshjen e kthimit në shtëpinë e hungarezëve
Altin Manallari
Shuhet ëndrra e Skënderbeut për të bërë historinë në Champions. Humbja 3-0 në ndeshjen e kthimit ka lënë me gisht në gojë korçarët. Trajneri Stanislav Levi i kishte besuar 11-shes së ndeshjes së parë me dyshen Plaku-Xhafa në sulm një skuadër të vendosur 4-2-3-1. Që në minutat e para skuadra vendase u tregua shumë këmbëngulëse, ndërsa korçarët janë mbrojtur mirë duke mos u lënë mundësi kundërshtarëve t’i afrohen portës. Por në minutën e 11-të, Skënderbeu shpëtoi nga pësimi i një goli thuajse i sigurt, pasi një krosi te futur në zonë nga lojtar kundërshtar, i cili u largua nga Radas, por u përplas në trupin e Gvocdenoviç dhe shkoi në këmbët e Mbengono, por gjuajtja e tij u bllokua nga Shehi. Nëse fati i fali korçarët këtë herë, nuk bëri të njëjtën gjë një minutë më vonë: Në një kundërsulm të shpejtë skuadra e Debreçenit, gjeti të parreshtuar si duhet mbrojtjen e korçarëve. Portieri Shehi grushtoi tentativën e parë të Szakali, por topi shkoi në këmbët e Kulibalit të pambuluar, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte golin e 1-0. Menjëherë pas dizavantazhit, Skënderbeu provon të organizohet në sulm me pasime të shumta për të dalë, por aksionet e tyre nuk arrijnë të vënë në rrezik serioz në portën kundërshtare. Në minutën e 22-të ishte Shehi, ai që shpëtoi portën nga një gol i sigurt në dy tentativa të njëpasnjëshme të lojtarit kundërshtar, Bodi. Një kros shumë pranë goditjes së këndit nga ana e vendasve në minutën e 30-të, mbrojtja korçare bën një tjetër gafë, duke lënë të pamarkuar Coulibali, goditja me kokë e të cilit për fat nuk përfundoi në rrjetën e Shehit. Rasti i parë i mirë i Skënderbeut vjen vetëm në minutën e 37-të, kur Xhafaj ktheu mbrapa topin për Muzakën, i cili nga 25 metra lëshoi një predhë, që u grushtua për mrekulli nga portieri i hungarezëve, Novakoviç. Pjesa e parë më e mirë për vendasit u mbyll me avantazhin e Debreçenit 1-0. në pjesën e dytë Debreçenin duket se ka marrë detyra sulmuese, ndërsa korçarët mundohen të dalin përmes kundërsulmit të shpejtë, me topat e gjatë që adresohen për të Plaku, gjithnjë të markuar rreptë, ndërsa Xhafaj vazhdon të jetë në hije. Por në minutën e 58-të janë sërish vendasit ata që shënojnë me Vargan: Allmuça humbet topin në mesfushë dhe kundërsulmi i vendasve me 5 lojtarë gjen vetëm 3 mbrojtës korçarë dhe në tentativën e dytë, Varga ka mposhtur portierin Shehi. Rezultati 2-0, që vlen kualifikimin, duket se u dha zemër hungarezëve, të cilët i shkuan shumë pranë golit të tretë me Szakali (61’) dhe Korhut (63’, shtyllë). Ndërsa Skënderbeu edhe pse administron më shumë topin e ka të vështirë të krijojë raste në portën kundërshtare, pasi nuk gjen hapësira në mbrojtjen e ngjeshur hungareze. Ndërsa në minutën e 81-të Shehi bëhet shpëtimtar i Skënderbeut nga një tjetër gol i sigurt, ndërsa një minutë më vonë Plaku ka rastin më të mirë për t’u dhënë korçarëve kualifikimin, por goditja e tij me kokë në zonë shkon mbi traversë. Sikur të mos mjaftonte kjo, në minutën e 87-të Coulibali shënon edhe golin e tretë, që vulos kështu shuarjen e ëndrrës Champions për Skënderbeun. Falë fitores 3-0 në turin e tretë shkon Debreçeni.
