Studentët
Qeveria shqiptare ka ftuar 70 studentë serbë, të cilët do të vizitojnë vendin tonë në tetor që të ndjekin në “Elbasan Arena” mes tifozëve shqiptarë takimin Shqipëri-Serbi
Tifozët
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së konfirmoi praninë në tribuna të 70 studentëve serbë
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, është i bindur se masat e rrepta të sigurisë që po merren para ndeshjes Shqipëri-Serbi do të ndihmojnë që të shmanget çdo incident i mundshëm. Ai mendon se në këtë mënyrë do t’i jepet mundësi ekipit kombëtar të tregojë sa më mirë vlerat në fushën e lojës, për të arritur një rezultat që do t’i hapte dyert për Euro 2016.
“Ka disa ditë që kemi filluar disa takime me institucionet shtetërore për sigurinë e kësaj ndeshjeje. Sot (dje) kishim një mbledhje më të zgjeruar, pasi ka ardhur për ta drejtuar përfaqësuesi më i lartë për sigurinë në UEFA. Është diskutuar me detaje për çdo gjë që ka të bëjë me organizimin e ndeshjes dhe masat paraprake që do të merren, që nga ardhja e ekipit serb në Tiranë, deri në përcjelljen e tyre nga Shqipëria”, shpjegoi ai pas përfundimit të takimit me Këshilltarin për Sigurinë në UEFA, Keni Skot, dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar. “Çdo gjë do të jetë e detajuar, është bërë një plan shumë i fortë masash për sigurinë. Të gjitha këto janë në funksion të ndeshjes, që ajo të jetë sa më korrekte dhe të ketë fair-play në fushë. Të gjithë këto masa që po merren, që të mos ketë incidente jashtë stadiumit apo brenda stadiumit, shpresojmë që t’i shërbejnë rezultatit pozitiv që ne shpresojmë të marrim dhe të na çojë drejt objektivit”.
Sipas Shulkut, diskutimet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, pasi synohet një mbarëvajtje sa më e mirë e takimit. Ndërkohë, FSHF ka mirëpritur vendimin e qeverisë shqiptare për të ftuar 70 studentë serbë në stadium për këtë sfidë. “Në ditët në vazhdim do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me palën serbe, me policinë dhe të gjithë institucionet. Ekziston edhe një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe. Do të vijnë rreth 70 studentë serbë, të cilët do të akomodohen në familjet e studentëve shqiptarë dhe në ditën e ndeshjes do të jenë bashkë në stadium për të parë takimin. Kjo kuptohet që është një iniciativë sensibilizuese mjaft e mirë, pozitive për një frymë bashkëpunimi e fair-play, të cilën ne ua kërkojmë të gjithë tifozëve dhe njerëzve të pranishëm në stadium”, deklaroi Shulku.