Eliminimi i Italisë nga Kupa e Botës ka shkaktuar reagime të forta edhe në studiot televizive, ku Fabio Caressa ka sulmuar ashpër drejtuesit e futbollit italian gjatë një lidhjeje në Sky Sport.

Gazetari theksoi se rezultati i ndeshjes dhe penalltitë nuk kanë më rëndësi, pasi problemi kryesor mbetet fakti që Italia ka dështuar për herë të tretë radhazi të kualifikohet në një Botëror. Sipas Caressës, mungesa e reformave reale në futbollin italian ka sjellë këtë situatë të përsëritur ndër vite.

“Ajo që pamë, ndeshja dhe penalltitë … nuk kanë asnjë rëndësi. Ka rëndësi vetëm fakti që për herë të tretë nuk jemi kualifikuar në një Botëror dhe ajo që pashë sonte, me të gjithë drejtuesit ende në vendet e tyre, më duket si një film fantastiko-shkencor!

Nëse duam të vazhdojmë kështu pa bërë reforma apo pa ndryshuar gjërat, atë që thoshim 12 vite më parë do ta përsërisim përgjithmonë. Ka ndodhur dhe është përsëritur: njerëzit që kanë përjetuar këto dështime kaq të rënda kanë vendosur të qëndrojnë dhe ne vazhdojmë të shohim Botërorin në televizion. Tani, a duam ta pranojmë këtë apo jo? Italia nuk është inferiore ndaj Bosnjës. Ambienti është negativ sepse shohim të njëjtin futboll prej vitesh dhe sepse nuk është dashur kurrë të ndryshohet asgjë.

Një president federate që përjeton dy momente të tilla nuk mund të jetë presidenti për katërvjeçarin e ardhshëm. Do të prisja që Gravina të bënte si Giancarlo Abete dhe Carlo Tavecchio dhe të jepte dorëheqjen që sonte. Por çfarë reformash janë bërë në këto vite? Reforma e të rinjve është pa kuptim, nuk mund të na marrin për budallenj pas gjithë këtyre viteve!

Djali im dhe nipi im nuk kanë parë kurrë një Botëror dhe futbolli është i tyre, jo i drejtuesve që qëndrojnë në vend pas këtyre dështimeve. Është fantashkencë që pas një Botërori tjetër të humbur të gjithë mbeten në vend: në cilën kompani të botës mund të ndodhë kjo? Pas një katastrofe të tillë, në çdo kompani do të kishte largime! Kur dështon kështu, falënderon dhe largohesh, secili me përgjegjësinë e vet. Për mua është një film fantastiko-shkencor, diçka e turpshme.

Po ju them si ka shkuar: Gennaro Gattuso dhe Gianluigi Buffon kanë shkuar te Gravina për të dhënë dorëheqjen dhe ai u ka thënë: prisni, në moment të nxehtë bëhen vlerësime të gabuara … sepse përndryshe do duhej të jepte dorëheqjen edhe vetë që sonte. Kjo ka ndodhur edhe me Roberto Mancini, tani mjafton!”, tha Caressa.