Është një histori e vjetër por këto ditë është rikthyer sërish në vëmendje për shkak të zbulimeve të reja e të panjohura. Ndodhi në fillim të 1980, kur trafikanti më i madh i drogës që bota ka njohur ndonjëherë, Pablo Escobar, ishte në kulmin e fuqisë së tij. Gazeta spanjolle Mundo Deportivo ka nxjerrë në dritë disa fakte që e lidhin me klubin e Barcelonës.


Historia u tregua ditë më parë nga komentatori sportiv meksikan, Christian Martinoli. Siç zbulon ky i fundit, gjithçka ndodhi në vitin 1983, kur Cesar Luis Menotti, i njohur si “Skinny” sapo kishte mbërritur në stolin e FC Barcelona-s.


Në atë kohë, ai ishte një trajner me famë botërore, pasi ishte kurorëzuar kampion bote me kombëtaren e tij në Kupën e Botës 1978 në Argjentinë.


Pasi u eliminua nga raundi i dytë në Kupën e Botës në Spanjë, Menotti nënshkroi për Barcelonën, ku Diego Armando Maradona ishte prej një viti aty, bashkë me gjermanin Bernard Shuster.


Pas një ndeshje në Camp Nou, një të shtunë pasdite, dy të rinj iu afruan trajnerit, e përshëndetën atë me shumë dashamirësi dhe komentuan se “shefi” i tyre donte ta ftonte atë në një darkë dhe t’i propozonte një biznes.


Menotti u befasua nga propozimi dhe u përgjigj se nuk dëshironte t’i shoqëronte. Burrat shpjeguan se ‘Punëdhënësit’ të tyre nuk mund t’i thuhej jo.


“Kur duhet të kthehesh në stërvitje?”, pyetën të rinjtë Menotti-n. “Epo, të hënën pasdite”, u përgjigj argjentinasi. “Dakord, të hënën pasdite do të ktheheni këtu”, u përgjigjën ata.


Ishte një aeroplan privat në aeroport duke pritur teknikun argjentinas, i cili do të duhej të bënte një udhëtim në Kolumbi, në Medellín. Sapo mbërriti atje, i mbuluan kokën për ta çuar më në fund në fermën ku jetonte “El Patrón”.


Sapo mbërriti në fermë, Menotti u ftua për darkë në një banket të shkëlqyeshëm derisa Pablo Escobar vuri një letër bosh çek para tij dhe i tha: “Kjo letër që unë pot ë vendos këtu është që ju të vendosni numrin që dëshironi, për të udhëhequr skuadrën Atlético Nacional ”.


Sidoqoftë, trajneri nuk u frikësua: “I thashë se ashtu si ai ishte një person që kishte ëndrrat e tij, unë isha gjithashtu një person i ëndrrave të mia dhe se për mua drejtimi i Barcelonës ishte një prej tyre,” i kishte thënë Menotti, sipas gazetarit.


Në atë moment e pa Escobar-in në sy dhe i tha i patrembur: “Ju do të më kuptoni”.