Regis Fernandes da Silva, i njohur në botën e futbollit si “Regis Pitbull”, dikur shihej si një prej talenteve braziliane që mund të arrinin majat e futbollit botëror.
Sot, në moshën 49-vjeçare, ish-futbollisti jeton në kushte të vështira në rrugët e São Paulos, pasi varësia nga droga i ka kushtuar familjen, banesën dhe jetën që kishte ndërtuar gjatë viteve.
Regis ka veshur fanellat e dy prej klubeve të njohura braziliane, Corinthians dhe Vasco da Gama. Karriera e tij, megjithatë, mori një tjetër drejtim për shkak të problemeve me drogën, varësi të cilën ai vetë e pranon.
Gjendjen e tij të rënduar e zbuloi gazetari brazilian, Emilio Botta, pasi u sinjalizua nga disa ish-shokë skuadre me të cilët Regis luante në një ekip amator. Gazetari e gjeti ish-futbollistin duke jetuar në një kamp të improvizuar mes mbeturinave dhe sendeve të hedhura.
49-vjeçari ka ende një prej pronave që zotëronte, por nuk mund të jetojë aty. Në dhjetor të vitit 2025, ai u largua nga banesa pasi sulmoi administratorin e ndërtesës.
Aktualisht, ai jeton në një çadër të improvizuar me kartona dhe mushama. Ushqimin e siguron kryesisht falë ndihmave, ndërsa një restorant përballë vendit ku ka ngritur kampin i dhuron ushqime. Pjesën më të madhe të kohës e kalon i shtrirë në çadrën e tij.
Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhet, Regis shprehet se mbështetës të Corinthians vazhdojnë ta kujtojnë dhe të interesohen për të.
“Jam një tifoz i madh i Corinthians. Ata gjithmonë më kujtojnë”, është shprehur ai.
Megjithatë, ish-futbollisti nuk pranon ndihmën që i ofrohet. “Nëse mendojnë se kam vdekur, aq më mirë. Nuk dua që askush ta dijë se ekzistoj”, ka deklaruar ai.
Sot, aktiviteti i tij i vetëm është të lëvizë me biçikletë pa një destinacion të caktuar. Një histori që tregon kontrastin e fortë mes një karriere që premtonte famë ndërkombëtare dhe një jete të përfunduar në margjinat e shoqërisë.


