Alex Ferguson është transportuar në spital të dielën, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore teksa ndodhej në Old Trafford për të ndjekur supersfidën mes Manchester United dhe Liverpool në Premier League.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, legjenda 84-vjeçare e klubit nuk është ndjerë mirë përpara nisjes së takimit dhe është dërguar në spital për kontrolle si masë sigurie. Burime pranë klubit bëjnë me dije se situata nuk konsiderohet serioze dhe se gjendja e tij është stabël.
Ferguson kishte mbërritur në stadium më shumë se një orë përpara fillimit të ndeshjes, e cila nisi në orën 16:30 sipas kohës lokale. Përballja konsiderohej vendimtare për sezonin, me United që synonte të forconte pozitat në zonën e parë të renditjes.
Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick kërkon të ruajë avantazhin ndaj rivalëve direktë, ndërsa vetë Carrick vazhdon të shihet si kandidat për të marrë drejtimin e ekipit në mënyrë të përhershme. Nga ana tjetër, Arne Slot synon të mbajë Liverpool FC në garën për vendet e para.
Që prej largimit nga pankina në vitin 2013, Ferguson ka mbetur një figurë e përhershme në tribunat e United, duke ndjekur rregullisht ndeshjet e klubit si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë.
