Një situatë absurde është krijuar me listën e Kombëtares shqiptare U21, ku trajneri Alban Bushi ka përfshirë mes risive të grumbullimit për miqësoret e qershorit edhe një futbollist i cili me sa duket nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së tij. Përkundrazi, ai e ka refuzuar atë, siç kuptohet nga vetë fjalët e lojtarit.
Blerton Isufi, futbollisti i blerë për 600 mijë euro nga Molde, rezultonte të ishte risia e madhe e Shqipërisë U21, ndonëse më parë kishte luajtur të kjo grupmoshë e Kosovës. Por në një intervistë, ka qenë vetë Isufi ai që ka treguar se ka biseduar me skautë të FSHF dhe vetë Bushin, por nuk ka dhënë miratimin që të ishte në listë.
“Po, është e vërtetë që më kanë kontaktuar disa herë, por unë nuk i kam dhënë përgjigje pozitive. E kanë kontaktuar edhe babanë tim. Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës.
Trajneri Bushi më ka kontaktuar direkt duke më thënë se i pëlqej si lojtar, gjithsesi faleminderit, por do të mbetem i Kosovës. Kam biseduar me trajnerin Hekuran Kryeziu. Ai e di situatën time në klub dhe gjithë atë që ka ndodhur me Shqipërinë. Ai ka besim te unë dhe unë kam besim tek ai. Në këtë grumbullim nuk do të jem shkaku i angazhimeve me klubin pasi kampionati norvegjez nuk pushon, por gjithmonë do të jem pjesë e Kosovës”, janë deklaratat e 20-vjeçarit Isufi.
