UEFA, organi drejtues i futbollit evropian, ka sulmuar ashpër FIFA-n, duke deklaruar se vendimi për të pezulluar zbatimin e kartonit të kuq të marrë nga sulmuesi i Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, ka “kaluar një vijë të kuqe”.

Vendimi i diskutueshëm i hap rrugën ish-sulmuesit të Arsenalit të luajë ndaj Belgjikës në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të finales, të planifikuar për mbrëmjen e së hënës, përveç rastit kur një apel i paraqitur nga Federata Belge e Futbollit (RBFA) pranohet.

Ky zhvillim ka shkaktuar reagime të forta, veçanërisht pas raportimeve që sugjerojnë se pezullimi i dënimit erdhi si pasojë e presionit politik nga qeveria amerikane. Edhe pse as FIFA dhe as autoritetet amerikane nuk kanë komentuar këto pretendime, UEFA ka dalë publikisht me një deklaratë të ashpër kundër këtij vendimi.

“Vendimi i djeshëm për të pezulluar, për një periudhë prove njëvjeçare, zbatimin e pezullimit automatik prej një ndeshjeje pas kartonit të kuq të dhënë për lojtarin Folarin Balogun ka kaluar një vijë të kuqe”, thuhet në deklaratën e UEFA-s.

Organizata evropiane shprehu gjithashtu “mosbesimin” e saj ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”.

Më tej, UEFA theksoi rëndësinë themelore të respektimit të rregullave të njëjta për të gjithë, duke deklaruar:

“Futbolli, ashtu si çdo sport tjetër, mbështetet te rregullat, të cilat janë themeli i një gare të drejtë, të ndershme dhe transparente.”