Futbolli italian është tronditur nga një tjetër skandal, pasi Gjykata Federale Kombëtare ka dënuar presidentin e Shoqatës Italiane të Gjyqtarëve (AIA), Antonio Zapi, me një pezullim 13-mujor.

Vendimi përkon plotësisht me kërkesën e prokurorit federal sportiv, i cili e akuzoi Zapin se kishte ushtruar presion ndaj ish-drejtuesve të departamenteve të Serisë C dhe D, Mauricio Çampi dhe Alessandro Pici, për t’i detyruar të jepnin dorëheqjen. Pas largimit të tyre, në këto poste u emëruan Daniele Orsato dhe Alfredo Trentalange Braski.

Në të njëjtin proces, Gjykata Federale ka sanksionuar edhe Emanuele Markezin, anëtar i Komitetit Kombëtar të AIA-s, me një ndalim 2-mujor. Markezit i atribuohet manipulimi i procesverbaleve për të fshirë çdo referencë mbi ndërhyrjen e Zapit në dorëheqjet e Çampit dhe Picit.

Antonio Zapi ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, por pezullimi i gjatë pritet të çojë në shkarkimin e tij nga drejtimi i AIA-s. Ky zhvillim thellon krizën në arbitrazhin italian, i cili prej muajsh ndodhet në qendër të polemikave dhe skandaleve, përveç kontestimeve të shumta ndaj gjyqtarëve në ndeshjet e Serisë A.