Presidenti i Komitetit Olimpik Polak, Radosław Piesiewicz, është arrestuar nga policia nën dyshimin se ka përfituar financiarisht nga një kompani kriptomonedhash në këmbim të marrëveshjeve të sponsorizimit.
Arrestimi është konfirmuar nga ministri i Sportit i Polonisë, Jakub Rudnicki, i cili përmes një postimi në rrjetin social X deklaroi se Piesiewicz ishte vënë në pranga.
“Radosław Piesiewicz është arrestuar”, shkroi ministri, ndërsa e akuzoi atë se kishte diskredituar lëvizjen olimpike polake.
Edhe ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, e cilësoi Piesiewicz si një “simbol të korrupsionit ekstrem” dhe deklaroi se zgjedhja e tij në krye të Komitetit Olimpik ishte mbështetur nga qeveria e mëparshme, e drejtuar nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Hetimi ndaj tij kishte nisur në prill dhe prej atëherë, një numër i madh federatash sportive në Poloni kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit të Komitetit Olimpik.
Sipas autoriteteve, Piesiewicz ishte përgjegjës për nënshkrimin e një marrëveshjeje sponsorizimi mes Komitetit Olimpik Polak dhe Zondacrypto, kompani e sektorit të kriptomonedhave që tashmë ka ndërprerë aktivitetin.
Marrëveshja parashikonte që medalistët polakë të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina të shpërbleheshin me kriptomonedha. Megjithatë, pagesat e parashikuara për sportistët u shoqëruan me probleme dhe parregullsi.
Autoritetet polake vlerësojnë se kolapsi i Zondacrypto-s ka shkaktuar humbje prej rreth 350 milionë zloty, ose afërsisht 80 milionë euro, ndërsa rreth 30 mijë persona dyshohet se janë prekur nga aktiviteti i kompanisë.
Ministri i Brendshëm e ka cilësuar kompaninë si një skemë Ponzi.
Në qendër të hetimit është edhe një orë me vlerë rreth 40 mijë euro, që sipas mediave polake Piesiewicz e kishte marrë nga drejtuesi i Zondacrypto, Przemyslaw Kral. Presidenti i Komitetit Olimpik i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se orën e kishte paguar vetë.
Kral, ndërkohë, raportohet se po bashkëpunon me prokurorët, në përpjekje për të përfituar një dënim më të lehtë nëse çështja përfundon në gjykatë. Piesiewicz është një prej personave të përfshirë në hetimin e gjerë për Zondacrypto.
Çështja ka marrë edhe dimension politik, pasi autoritetet po hetojnë lidhjet e Zondacrypto-s me televizionin Republika, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste, si dhe me persona e grupe të lidhura me të djathtën polake.
Kryeministri Donald Tusk ka deklaruar në parlament se themeluesi i Zondacrypto-s, Sylwester Suszek, është “zhdukur” dhe se “me shumë gjasa” ka vdekur. Suszek, i cili themeloi kompaninë në vitin 2014, u zhduk në vitin 2022, ndërsa më pas drejtimin e saj e mori Przemyslaw Kral.
Tusk ka hedhur gjithashtu dyshime për përfshirjen e parave të lidhura me “mafian ruse” në skandalin e kompanisë.
Ndërkohë, presidenti polak Karol Nawrocki, i zgjedhur në vitin 2025 dhe i konsideruar pjesë e së djathtës nacionaliste, ka bllokuar tre herë projektligjet që synonin vendosjen e rregullave të reja për tregun e kriptomonedhave në Poloni.
Hetimi për Zondacrypto dhe rolin e personave të lidhur me të vijon, ndërsa Piesiewicz përballet me akuzat për përfitime të paligjshme në lidhje me marrëveshjet e sponsorizimit.
