Një ngjarje e rëndë dhune në sport është shënuar gjatë një ndeshjeje kickbox-i në Serbi, ku protagonist ishte sportisti grek Giannis Tsoukalas dhe bashkëpunëtori i tij, Pavlos Kochliaridis.

Pasi sportisti grek mundi rivalin e tij serb në një ndeshje në Novi Pazar, rreth 100 persona hynë në ring dhe sulmuan ekipin grek, duke i rrahur në mënyrë barbare. Sipas dëshmisë së Kochliaridis, incidenti ndodhi vetëm pak sekonda pas fitores së Tsoukalas-it me nokaut ndaj kundërshtarit serb Vahid Kicara. Persona të shumtë hynë me dhunë në ring dhe goditën sportistin grek, i cili u transportua i lënduar në spital.

Ai theksoi se situata mund të kishte përfunduar në tragjedi, pasi ekipi grek përbëhej vetëm nga katër persona, ndërsa në ring u futën rreth njëqind. Në një deklaratë për mediat greke, Kochliaridis tregoi se pas fitores së Tsoukalas-it, ai dhe trajneri Nikos Gkikas (Nikos Ghijkas) hynë në ring për të festuar së bashku me sportistin e PAOK-ut, Zisis Paggouras.

Sipas tij, Tsoukalas u përkul dhe ra në gjunjë për të treguar respekt ndaj kundërshtarit dhe për të shmangur çdo incident, pasi atmosfera ishte tashmë e tensionuar. Megjithatë, ndërsa ai ishte ende në tokë, vëllai i kundërshtarit e goditi me grusht, duke e rrëzuar plotësisht. Ai u godit me shkelma, grushte dhe madje u qëllua me karrige për rreth dy minuta, pa ndërhyrjen e policisë. Sipas tij, nga një burim i besueshëm mësuan se një prej huliganëve ishte parë me thikë.