Të paktën 55 eurodeputetë i kanë bërë thirrje federatave evropiane të futbollit që të kërkojnë një hetim zyrtar mbi mënyrën se si u shty pezullimi i sulmuesit Folarin Balogun, duke i mundësuar atij të luante në ndeshjen e 1/8-ave të Kupës së Botës kundër Belgjikës.
Në një letër drejtuar presidentëve të federatave të futbollit të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, eurodeputetët kërkojnë që FIFA të hetojë nëse presidenti i saj, Gianni Infantino, ka pasur rol në vendimin për shtyrjen e dënimit të Balogun, si dhe nëse ka pasur presion nga Shtetet e Bashkuara për të ndikuar në këtë proces.
“Ka ardhur koha që federatat evropiane të futbollit, si anëtare të FIFA-s, të ndërhyjnë dhe të kërkojnë një hetim të plotë mbi procesin e vendimmarrjes. Statuti dhe Kodi i Etikës i FIFA-s ofrojnë bazën ligjore për një kërkesë të tillë”, thuhet në dokument.
Nisma është ndërmarrë nga eurodeputetët Lara Wolters (Holandë), Niels Fuglsang (Danimarkë) dhe Barry Andrews (Irlandë), ndërsa deri tani është mbështetur nga të paktën 55 anëtarë të Parlamentit Evropian. Në letër theksohet se statutet dhe Kodi i Etikës i FIFA-s kërkojnë neutralitet të plotë politik dhe parashikojnë sanksione të rënda në rast shkeljesh.
Eurodeputetët argumentojnë se federatat anëtare kanë detyrimin të kërkojnë llogari nga drejtuesit e FIFA-s nëse ekzistojnë prova se janë shkelur rregullat për neutralitetin politik. Ata shtojnë gjithashtu se drejtuesit e FIFA-s kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për të mbrojtur interesat e organizatës, duke paralajmëruar se çdo vendimmarrje e ndikuar nga faktorë të jashtëm do të përbënte shkelje të rëndë të këtyre detyrimeve. Çështja pritet të shtojë presionin mbi FIFA-n, ndërsa deri më tani organizata nuk ka reaguar publikisht ndaj kërkesës së eurodeputetëve./ Top Channel
