Të shtunën AF Elbasani dhe Vllaznia barazuan 1-1 për raundin e dytë të Superligës, megjithatë ndeshja ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve jo për futbollin. Vllaznia shënoi e para pas 18 minutave lojë me Edon Muratajn, ndërsa shkodrani Rubin Hebaj barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 75-të. Ishte pikërisht fundit i ndeshjes që solli tensione të shtuara.
Me të përfunduar ndeshja, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi zbriti në dhomat e zhveshjes dhe sipas informacioneve të zyrtarizuara nga FSHF-ja, goditi me grusht arbitrin anësor Ergys Spahiu. Shkak për dhunën ishin dy gola të anuluar për pozicion jashtë loje. Dy golat u shënuan në minutat shtesë të ndeshjes nga Tafili dhe Musta, por të dy golat u anuluan për pozicion jashtë loje me ndihmën e VAR-it. Në rastin e parë, ishte Perez që bllokoi pamjen e portierit, ndërsa në rastin e dytë Musta ishte në pozicion jashtë loje. Kjo duket se ka agravuar situatën.
Mbyllja e ndeshjes bëri që edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini të protestonte duke bërë shenjën e VAR-it.
