Futbolli shqiptar është kthyer edhe njëherë në skenat e turpshme të dhunës, teksa mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Arena e Demave” u luajt derbi mes Partizani U18 dhe Tirana U18.

Bardheblutë arritën të fitonin minimalisht me një gol të shënuar në shtesën e pjesës së parë, duke korrur një triumf mjaft të rëndësishëm, pasi vinte edhe në shtëpinë e rivalëve të mëdhenj të qytetit.

Por ndryshe nga 90 minutat, fundi i ndeshjes rezervoi një moment të denjë për skenat e UFC. Pas fërshëllimës së fundit një nga lojtarët e Tiranës improvizoi një flamur me fanellën e tij dhe kërkoi që ta vendosë në qendrën e fushës, një gjest që është bërë edhe në derbin e madh të Superiores.

Pikërisht ky moment ka ngjallur reagimin e lojtarëve të Partizanit, duke e shndërruar fushën e blertë në një arenë dhune të paprecedentë. As ndërhyrja e forcave të rendit dhe ekipit “Shqiponja” nuk arritën të eliminonin dhunën, që zgjati për minuta të tëra.

Një numër i madh të pranishmish u hodhën në fushë për të ushtruar dhunë. Padyshim, një moment tejet i turpshëm dhe alarmues, për më tepër që vjen nga futbolli i moshave, që tregon se mentaliteti nuk ka ndryshuar aspak. Komisioni i Disiplinës pritet të japë vendime të forta./ Top Channel