Teuta “bie” në Laç, Apolonia merr fitoren e parë dhe zhyt Besën në krizë
Altin Manallari
Nuk ka rëndësi se ku luan, brenda apo jashtë, ky Skënderbe përfundimisht nuk di të ndalet. Dhe këtë e ka treguar edhe dje në Gjirokastër, ku i është dashur të luajë një ndeshje delikate ndaj Luftëtarit, takim i vlefshëm për javën e 12 të Kategorisë Superiore. Kampionët në fuqi të vendit triumfuan me një rezultat të ngushtë 1-0 ndaj gjirokastritëve, në një sfidë ku nuk munguan dyshimet për gjykimin, por që gjithsesi konfirmoi supremacinë e korçarëve. Me këtë fitore, Skënderbeu ka siguruar kurorën e kampionit të dimrit, ndërsa e rrit distancën nga ndjekësit më të afërt në 9 pikë. Kuotën e 30 pikëve bardhekuqtë e trajnerit Mirel Josa e arritën falë një goli të shënuar nga sulmuesi Sebino Plaku, ndërsa vazhdojnë të jenë skuadra e vetme pa humbje në 12 javë kampionat. Nga 12 ndeshje kanë barazuar vetëm 3. Ndeshja në qytetin jugor pati edhe dritë, edhe hije, dhe skuadra vendase në pjesën e dytë e meritoi emrin Luftëtar, pasi u përpoq me çdo mënyrë, madje edhe kur mbeti me 10 lojtarë në fushën e lojës. Stoja, Çaço dhe sërish Stoja mund të kishin barazuar, ndërsa goditja erdhi kur pikërisht Çaço u nxor nga loja me karton të kuq për një faull taktik. Me 9 fitore, 3 barazime dhe asnjë humbje në 12 javë kampionat, me një golavarazh fantastik, +17 gola, djemtë e Mirel Josës e diktojnë në çdo drejtim Superioren. Pa pasur asnjë rival të denjë dhe që mund t’i pengojë në rrugën e tyre drejt rikofirmimit për herë të tretë radhazi si më të mirët e futbollit shqiptar. Gjirokastritët mbeten në vendnumëro, të 11-t në klasifikim me 11 pikë, të përfshirë seriozisht në “vallen” e rënies nga elita e futbollit shqiptar, ashtu sikurse Tomori, Apolonia, Shkumbini dhe Kastrioti, për momentin. Një gol i vetëm edhe në Laç, ku vendasit jo vetëm fituan ndaj Teutës, por edhe kapën Kukësin e vendit të dytë, duke pasur edhe ata 21 pikë. Fati i kësaj përballjeje u vendos nga një gol i çuditshëm i shënuar nga Nimani, që nuk u mor vesh nëse shënoi me kokë, me trup apo me dorë, por gjithsesi realizoi. Më tej, vendasit mund të kishin shënuar sërish, por Vucaj humbi 11-metërshin, ndërsa gjuajtja e tij u prit nga portieri mik Rizvani. Me këtë humbje, Teuta mbetet në kuotën e 20 pikëve në klasifikim, që e bëjnë të biejë nga vendi i dytë në të katërtin. Fitore e bukur dhe e pamenduar e Apolonisë në Fier ndaj Besës. Kavajasit kanë shënuar të parët me lushnjarin Sefa, dhe e kanë mbyllur në epërsi pjesën e parë, por në të dytën “është hedhur gjithçka në erë”. Në fillim Ndoni nga pika e bardhë e penalltisë dhe më pas Ribaj kanë përmbysur gjithçka në favor të vendasve. Për Apoloninë kjo ishte fitorja e parë në kampionat në 12 javë, ndërkohë që ky rezultat ka konfirmuar sërish krizën që po kalon skuadra e Besës.
Superliga (Java XII)
DJE
LUFTËTARI-SKËNDERBEU 0-1
Plaku 30′
APOLONIA-BESA 2-1
Ndoni 76′, Ribaj 81′ / Sefa 25′
LAÇI-TEUTA 1-0
Nimani 9′
E.Sino, I.Tartari, O.Grabova
TË SHTUNËN
KUKËSI-KASTRIOTI 3-1
Progni 25′, Popoviç 70′, Allmuça 89′ / Daja 3′
BYLISI-TIRANA 1-0
Bakiu 68′
TOMORI-SHKUMBINI 0-0
VLLAZNIA-FLAMURTARI 3-3
Rexha 63′, 90+5′, Deliç 78′ / Osmani 27′ (ag.), Muzaka 31′, Pepa 53′
Klasifikimi
Skuadrat N P
1. Skënderbeu 12 30
2. Kukësi 12 21
3. Laçi 12 21
4. Teuta 12 20
5. Tirana 12 19
6. Bylisi 12 18
7. Vllaznia 12 17
8. Flamurtari 12 16
9. Besa 12 16
10. Kastrioti 12 12
11. Luftëtari 12 11
12. Shkumbini 12 9
13. Apolonia 12 8
14. Tomori 12 6