Korçarët, kundër gjyqtarëve për golin e Ibrahimit. Të kuqtë: Mos na përbaltni
Ermal Kuka
Humbja përballë Partizanit dhe kapërcimi në kreun e renditjes së Kategorisë Superiore nga të kuqtë nuk është kapërdirë lehtë nga drejtuesit e Skënderbeut, të cilët dje kanë dalë me një qëndrim zyrtar rreth supersfidës së javës së tetë. Kampionët në fuqi të Superiores nuk kanë ngurruar ta cilësojnë me dy standarde mënyrën se si trajtohet klubi korçar në raport me ekipin kryeqytetas, duke aluduar se Partizani kishte mbështetje të fortë brenda FSHF-së. Sipas tyre, shembulli kryesor ishte goli i fitores së Partizanit, i realizuar nga Ibrahimi, në një moment kur rrezen e shikimit të Shehit e zinin tre futbollistë që mund të cilësohen në pozicion jashtë loje.
“Goli ishte qartësisht pozicion jashtë loje dhe ndihmoi ekipin e kuq të fitonte ndeshjen. Është e pabesueshme se si gjyqtari kryesor, gjyqtarët anësorë dhe prapa porte e kanë të vështire të dallojnë 3 lojtarë përpara portierit Orges Shehi. Kjo situatë është qartësisht një mbështetje për të zbritur ekipin tonë nga froni, nga media dhe disa zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit të lidhur ngushtë me klubin e Partizanit. Por është e pamundur t’ia dalin përpara “urisë” së kampionëve tanë për të fituar titullin kampion dhe për të dominuar çdo kundërshtar. Një aspekt tjetër ku dëshirojmë të ndalemi janë ofendimet e tifozëve vendas gjatë gjithë 90 minutave kundrejt presidentit, lojtarëve dhe qytetit të Korçës. Në qoftë se ato ofendime do të bëheshin në stadiumin “Skënderbeu”, loja do të ishte ndaluar dhjetëra herë por Jemini ka mundësi që dje të kishte vendosur pambuk në vesh sepse është e pamundur të dëgjosh ato lloj ofendimesh nga disa tifozë që i përkasin “llumit” të vendit tonë të dashur, madje të mbështetur nga klubi i Partizanit dhe të mos reagosh në asnjë moment. Këtu po veprohet qartësisht me 2 standarde në kurriz të ekipit tonë. Pavarësisht luftës së hapur ndaj klubit tonë do ta keni të pamundur të na rrëzoni nga froni, do ta kenë të pamundur të mposhtin ekipin më të mirë në historinë e futbollit shqiptar”, shkruhej në këtë deklaratë që është publikuar në rrjetet sociale nga klubi i Skënderbeut.
Nuk ka vonuar dhe nëpërmjet rrjeteve sociale ka ardhur kundërpërgjigjja e Partizanit, ku nuk flitej për golin e dytë të të kuqve, por për të parin. “Si Josa ashtu edhe Salihi në prononcimet ‘live’ të tyre për ‘SuperSport’, për asnjë moment nuk kanë pohuar se Partizani barazoi me një gol të parregullt. Në deklaratë citohet se FSHF është e lidhur ngushtë me Partizanin. E ritheksojmë edhe një herë se KF Partizani respekton në mënyrë rigoroze rregulloret e parashtruara nga institucioni më i lartë i futbollit në vend, për më tepër që si Partizani ashtu edhe Skënderbeu janë anëtarë të FSHF-së. Klubi i Skënderbeut duhet të tregohet më serioz në deklaratat që përcjell dhe të mos përbaltë fitoren dhe emrin e madh të Partizanit. Mospranimi i humbjes në fushën e lojës nga kundërshtarët është mungesë respekti e ‘FAIR PLAY'”, shkruhej në këtë deklaratë.