Daja: “Një ndeshje perfekte për t’i mundur”. Takaj: “Luajmë për fitore brenda dhe jashtë”


Altin Manallari


Kampionati shqiptar rikthehet sot me një nga sfidat më interesante të javës së nëntë: Besa e vendit të tretë dhe Skënderbeut kryesues. Për sa është mësuar dje, në stadiumin e qytetit të Kavajës do të ketë një atmosferë fantastike, e cila pritet të realizohet nga një numër rekord tifozësh të pranishëm. Skuadra kavajase, e cila drejtohet nga trajneri Ilir Daja, ka shënuar ecuri shumë të mirë në javët e para të sezonit. Tekniku i kavajasve nuk ka harruar që të theksojë se përballë do të ketë skuadrën më të mirë shqiptare të momentit, por gjithsesi ai ka besim se nëse të tijtë do të mund të ruajnë lojën e tyre, mundësitë për të fituar ekzistojnë. “Sigurisht, do të luajmë kundër ekipit më të mirë të kampionatit, i cili është edhe pretendenti kryesor për titull, deklaroi dje Daja. Të dyja ekipet do të kërkojnë fitoren në këtë përballje. Por nëse ne duam të marrim tri pikët në shtëpi përpara publikut tonë, atëherë do të na duhet të bëjmë një ndeshje perfekte për të mundur Skënderbeun. Nuk duhet të jemi euforikë dhe do të kërkojmë të ruajmë stilin tonë të lojës, duke iu imponuar kundërshtarit. Të mos u lëmë hapësira, pasi korçarët kanë individualitete të rrezikshme, që mund të të ndëshkojnë në çdo moment”. Por Skënderbeu vjen në këtë ndeshje shumë ambicioz, edhe pse do të luajë në transfertë. Presidenti Ardian Takaj thekson se “jemi një skuadër, e cila tashmë e ka kthyer në traditë që të luftojë për titullin kampion. Kemi në dispozicion futbollistët më të mirë të kampionatit dhe kjo na bën që të shkojnë në Kavajë për të marrë tri pikët. Për të realizuar ambiciet tona, nuk do të duhet të diskutojmë se ku luajmë jashtë apo brenda, por objektivi ynë do të jetë të marrim maksimumin e pikëve kudo”. Trajneri Mirel Josa do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarë dhe ndaj Besës do të luajë e njëjta 11-she që mundi Tiranën, me përjashtimin e vetëm, Soza në mbrojtje në vend të Vrapit.


Superiore (Java IX)


SOT


14:00 Laçi-Luftëtari


14:00 Shkumbini-Apolonia


17:00 Flamurtari Kastrioti


17:00 Besa Skënderbeu


 


NESËR


14:00 Tomori-Bylis


14:00 Tirana-Kukësi


17:00 Teuta-Vllaznia


 


IFFHS


Tirana bie në renditje, por është më e mira shqiptare


Edhe pse në rënie të lirë, Tirana është skuadra më e mirë shqiptare në klasifikimin ndërkombëtar të IFFHS-së (Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit). Në publikimin më të ri të kësaj renditjeje dje është konfirmuar ngjitja e Skënderbeut. Pavarësisht se bardheblutë kaluan një tur në Europë dhe kampionët u eliminuan. Falë ecurisë së mirë në kampionat në tre sezonet e fundit, Skënderbeu ka mundur të jetë midis 300 klubeve më të mira në botë duke u renditur në vendin e 288 me 75 pikë. Kampionët e vendit kanë ngjitur 23 pozicione në renditjen e periudhës 1 nëntor 2011–31 tetor 2012, duke lënë pas skuadra si Servete e Zvicrës apo gjigantët rus të Lokomotiv të Moskës. Më ndryshe është situata te bardheblutë që humbasin 23 pozicione edhe në renditjen vjetore të IFFHS, duke zbritur në vendin e 242 me 80 pikë. Renditjen e udhëheqin Barcelona me 349 pikë, Atletiko Madrid (290) dhe Universitad i Kilit (289.5).