Presidenti Takaj pritet të tërhiqet për zëvendëspresidentin, por jo për drejtorin


Altin Manallari


Korça dhe Skënderbeu duket se pak nga pak po e marrin veten pas tronditjes që shkaktuan masat e papritura të presidentit Ardian Takaj, i cili shkarkoi zëvendëspresidentin Ardi Kollçaku, drejtorin ekzekutiv të klubit Ilir Përmeti dhe pezulloi stafin teknik të skuadrës me në krye Mirel Josën. Të mërkurën, duke përfituar edhe nga festa e Krishtlindjeve, numri një i klubit duket se ka reflektuar edhe pas një takimi me stafin teknik dhe ka vendosur t’i rikthejë ata në detyrat e mëparshme. Por, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me zëvendëspresidentin Kollçaku dhe drejtorin Përmeti. Edhe pse presidenti Takaj vazhdon të këmbëngulë se dikush duhet të paguajë për rrëmujën e shkaktuar me spekulimin se “Orelesi është shitur te Volfsburgu për 600 mijë euro”, nuk përjashtohet që të paktën zëvendëspresidenti të rikthehet në detyrë. Sipas një burimi të besueshëm pranë klubit kampion në fuqi, kjo ka shumë gjasa të ndodhë, ndërkohë që duket se drejtori Përmeti do të mbetet “kurbani” i vetëm i kësaj historie. Presidenti e ka bërë të qartë dje se masa për ta mbetet në fuqi, por nuk do të jetë çudi, nëse tërhiqet edhe në këtë drejtim. Për momentin nuk është bërë asnjë lëvizje për gjetjen e njerëzve, të cilët do të zënë vendet e mbetura bosh në administratën e klubit Skënderbeut, kështu që mund të kemi edhe një falje për të shkarkuarit. Sidoqoftë, duhet pritur vendimi i presidentit Takaj, ndoshta ditët e para të janarit, sepse aktualisht është kohë festash dhe nuk është momenti më i mirë për t’u marrë me këto punë. Nga ana e presidentit është mësuar se ka ndërmend të bëjë ristrukturim të klubit në administratë. Sikurse është mësuar, në planet e numrit një të “Ujqërve të dëborës” është shtimi i disa nëpunësve, si ai i drejtorit sportiv dhe i zëdhënësit. Për sa i përket rikonfirmimit të trajnerit Mirel Josa dhe stafit të tij, ka folur vetë tekniku tiranas. Ai ka theksuar se në asnjë moment nuk ka dyshuar se do të vazhdonte në drejtimin e skuadrës, pasi, sipas tij, posti i trajnerit nuk është vënë asnjëherë në diskutim. “Asnjëherë nuk është vënë në diskutim pozicioni im si trajner dhe unë vazhdoj të jem në krye të stolit, – është shprehur timonieri i kampionëve në fuqi. Në takimin me presidentin diskutuam për çështje që kemi folur edhe më parë, siç është ecuria e skuadrës apo merkatoja. Asnjëherë nuk është vënë në diskutim pozicioni im si trajner dhe unë vazhdoj të jem në krye të stolit. Për më shumë, duhet të flisni me presidentin. Unë do të dal në një konferencë për shtyp në datën 5 janar, kur do të grumbullohet ekipi në rezidencën ‘Tropikal’ në Durrës. Aty do të flas për çdo gjë. Megjithatë, mund të them se ato çfarë diskutohen në këtë periudhë për largime apo afrime lojtarësh më shumë bëhen për të mbushur faqet, sesa janë të vërteta. Në janar do të mësohet më shumë për blerjet që do të bëhen”, shprehet tekniku i korçarëve në prononcimin e tij. Ndërkaq, lojtarët kanë marrë pushimet dhe do të grumbullohen më 5 janar në Durrës, për të nisur fazën përgatitore që me shumë mundësi do të zhvillohet në Portugali.


 


 


Merkato


Problematika e ditëve të fundit duket se kaloi në plan të dytë merkaton e Skënderbeut. Por tashmë kur qetësia po rikthehet pak nga pak, ajo që shqetëson korçarët është fakti se disa futbollistë si Orelesi, Plaku dhe Arapi mund të largohen gjatë afatit të transferimeve në muajin janar. Për tifozët korçarë, klubi do ta ketë të vështirë që të zëvendësojë treshen e lojtarëve, të cilët kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në pjesën e parë të sezonit. Në janar, presidentit Takaj do t’i duhet të mendojë edhe për ndonjë afrim. Për momentin nuk ka ndonjë tratativë konkrete, por gjithçka do të nisë pas 5 janarit.