Presidenti Takaj sqaron arsyet e shkarkimeve dhe pezullimeve
Altin Manallari
Vetëm 24 orë pas shpërthimit të papritur të “vullkanit” Skënderbeu, në kampin korçar mbizotëron një qetësi e rreme. Kjo, për faktin se të gjithë kanë vendosur të respektojnë festën e Krishtlindjeve”. Të paktën deri të enjten, kur pritet të mbahet edhe gjyqi i madh, me shumë të akuzuar, i cili do t’i japë zgjidhje të ardhmes së skuadrës për sezonin e ardhshëm. Ajo që ndodhi të hënën në klubin Skënderbeu, ishte vërtet një rrufe në qiell të hapur. Kur dukej se gjithçka po shkonte më së miri, me një skuadër që kryeson bindshëm klasifikimin e Kategorisë Superiore dhe dominon futbollin shqiptar në çdo cep të fushave të blerta, papritur mësohet se gjatë ditëve të fundit, klubi po ziente përbrenda për shkak të disa mosmarrëveshjeve, të cilat janë konkretizuar me disa masa të ashpra nga ana e presidentit Ardian Takaj. Me një të rënë të lapsit ai vendosi të shkarkojë të hënën zëvendëspresidentin Ardi Kollçaku, si dhe drejtorin e klubit, Ilirjan Përmeti, dhe gjithë administratën. Nga ana tjetër, numri një i klubit të “Ujqërve të Dëborës” ka pezulluar pa afat gjithë stafin teknik (trajnerin Mirel Josa, zv/trajnerin Milutin Kërçiç, përgatitësin e portierëve, Ilir Bozhiqi, si dhe përgatitësi atletik, Iris Selmani), deri në marrjen e një vendimi të dytë, i cili pritet të jepet pikërisht të enjten. I pyetur për këto vendime disi të çuditshme, kreu i klubit gjithçka e ka lidhur me zërat e fundit që kanë qarkulluar në merkato. “Kanë dalë shumë fjalë për lëvizjet e lojtarëve të Skënderbeut në hyrje apo në dalje. Nuk e kam kuptuar se përse këto thashetheme janë nxjerrë nga brendësia e klubit dhe, për këtë arsye, kam vendosur të marr masat përkatëse. Nuk do të lejoj askënd që t’i bëjë keq ekipit”, ka deklaruar presidenti Takaj. Numri një i korçarëve bëri të ditur se ky vendim është marrë pas konstatimit të tij, se disa prej personave në organikën e klubit kanë bërë politikën e tyre personale nëpërmjet informacioneve të pavërteta për shitjen e futbollistëve në merkato, siç është edhe blerja e Orelesit nga Volsfburg për 600 mijë euro. Presidenti i klubit këmbëngul se masat e marra së fundmi prej tij “nuk do të cenojnë aspak pozicionin dhe të ardhmen e Skënderbeut. Skënderbeu do të vijojnë rrugën e tyre të suksesshme, madje edhe më të fortë pas merkatos së janarit”. Takaj ka njoftuar se të enjten do të zhvillohet edhe një mbledhje, ku do të pritet të merret një vendim në lidhje me të ardhmen e trajnerit Mirel Josa dhe stafit teknik të drejtuar prej tij, të gjithë janë pezulluar pa afat nga drejtuesi më i lartë i skuadrës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme që do të zhvillohet, pritet të mësohet nëse Takaj do vazhdojë t’ia besojë skuadrën Josës, apo do të zgjedhë një tjetër trajner për të mbyllur sezonin. Aty pritet të merren edhe vendime të rëndësishme për sa i takon të ardhmes së disa lojtarëve të përfolur në merkato. Synimi është që grupi aktual të mos dobësohet, ndërsa presidenti kërkon me ngulm që Nuredin Orelesi të mos largohet nga Skënderbeu.
Arsyeja – Disa prej personave brenda klubit kanë bërë politikën e tyre personale nëpërmjet informacioneve të pavërteta për shitjen e futbollistëve (Orelesit) në merkato
Presidenti – “Masat e marra nuk do ta cenojnë aspak pozicionin dhe të ardhmen e Skënderbeut. Do të vijojmë rrugën tonë të suksesshme, madje edhe më të fortë pas merkatos së janarit”
Gjyqi – Në mbledhjen e jashtëzakonshme të së enjtes, do të mësohet nëse Takaj do të vazhdojë t’ia besojë skuadrën Mirel Josës, apo do të zgjedhë një tjetër trajner