Vendasit, dekor festiv për supersfidën. Josa: Nuk vendos titullin. Rubio: Nuk i kemi frikë


Altin Manallari


Konsiderohet më shumë se një derbi. Skënderbeu-Flamurtari është supersfida, e cila i ka karakterizuar këto tri sezonet e fundit, pasi të dyja skuadrat i kanë dhënë tonin kampionatit shqiptar me rivalitetin mes tyre. Rivalitet që jo rrallëherë i ka kaluar kufijtë e fushës së gjelbër. Madje palët nuk kanë nguruar që ta etiketojnë njëra-tjetrën si “armikun” kryesor dhe përballjet mes tyre kanë dhuruar vazhdimisht tension. Situata aktuale nuk duket të jetë e tillë, pasi palët janë kujdesur që të mos lëshojnë deklarata provokuese. Por mjafton vetëm një shkëndijë për të ndezur atmosferën negative. Përballja aktuale nuk i gjen skuadrat në pozita dhe aq rivalizuese, pasi Skënderbeu kryeson në vendin e parë me 24 pikë, ndërsa Flamurtari pozicionohet vetëm i 8-i, me 15 pikë. Megjithatë lufta e fortë sportive mes tyre është e garantuar. Pikërisht sot do të luhet ndeshja e prapambetur e Superiores, për shkak të ndarjes tragjike nga jeta të gjyqtarit Rigels Pjetrushi. Vlonjatët në Korçë i pret një atmosferë e ndezur. Skënderbeu përgatitet jo vetëm për sfidë në fushë, por edhe për festë në shkallët e stadiumit, çka do ta bëjë më të ndjeshme atmosferën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Tifozët kanë ndërmend të shpalosin një flamur gjigant, ndërkohë që me mijëra flamuj të tjerë do të jenë të pranishëm në impiantin e korçarëve. Deri dje pasdite janë shitur 7 mijë bileta, ndërkohë që kapaciteti maksimal është 8.500. Nga Vlora mësohet se do të mbërrijnë në Korçë për të ndjekur skuadrën e Flamurtarit rreth 500 tifozë. Një pjesë janë nisur që mbrëmë. Nga ana e klubit kampion në fuqi është bërë e ditur se janë marrë të gjitha masat për akomodimin e tifozëve miq dhe mbarëvajtjen në stadium. Ndërsa për sa i përket aspektit sportiv të ndeshjes, mësohet se Skënderbeu nuk ka probleme me mungesat. Në dispozicion të trajnerit Mirel Josa do të jenë të gjithë futbollistët. I fundit që është rikthyer është Bici, i cili është një garanci më shumë në qendër të mbrojtjes. Pjesa tjetër e ekipit do të jetë e njëjta që mundi në fundjavë Kastriotin në Krujë me rezultatin 2-1. Trajneri Mirel Josa nuk shikon këtë sfidë si vendimtare në luftën për titull, për vetë momentin që po luhet, që sipas tij është ende herët. “Kjo është një ndeshje si gjithë të tjerat, u shpreh dje Josa. Nuk do të vendosë fatin e sezonit, pasi është ende shumë herët për të folur për titullin kampion. Gjithsesi ajo është e rëndësishme, pasi mund të ndikojë në ecurinë e mëtejshme të skuadrës sonë. Jemi përgatitur që të japim maksimumin dhe do të kërkojmë fitoren, edhe pse e dimë se përballë do të kemi një kundërshtar të vështirë”, deklaroi Mirel Josa. Por fitorja është ajo që kërkon edhe kundërshtari i tij, spanjolli Hulian Rubio Sançez, i cili, pas atij fillim sezoni me oscilacione, duket se më në fund ka gjetur ritmin e fitoreve me Flamurtarin. “Do të shkojmë në Korçë për të kërkuar fitoren, nënvizon Rubio. Kjo është mënyra se si e kam përgatitur unë skuadrën time, edhe pse e di se përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë. Javët e para të kampionatit kanë treguar se Skënderbeu është ekipi më në formë. Ka një sulm me lojtarë shumë të rrezikshëm, por edhe ne kemi një mbrojtje të mirë. Megjithatë tri pikët janë shumë të rëndësishme për ne, për t’iu afruar kreut të renditjes dhe për t’u rifutur në luftën për titull. Kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar, prandaj kam besim se mund t’ia dalim të marrim një fitore sot”, përfundoi trajneri i Flamurtarit, Hulian Rubio.


 


Tifozët


Deri dje pasdite janë shitur 7 mijë bileta, ndërkohë që kapaciteti maksimal është 8.500. Nga Vlora mësohet se do të mbërrijnë në Korçë 500 tifozë


 


Dekori


Do të shpalosin një flamur gjigant, ndërsa mijëra flamuj të tjerë do të jenë të pranishëm në stadium, duke krijuar një atmosferë festive për 100-vjetorin e Pavarësisë


 


Rivaliteti


Dy skuadrat përballen në pozita të ndryshme (Skënderbeu 24 pikë, ndërsa Flamurtari 15), por megjithatë kjo sfidë garanton rivalitet të madh në fushën e lojës