Një autogol i Radas në minutën e fundit u jep trofeun bardhebluve me 10 lojtarë


Altin Manallari


Skënderbeu kishte thuajse gjithçka në dorë për të fituar këtë Superkupën kur duheshin edhe 5 minutat e fundit të finales në “Qemal Stafa”, dhe Tirana ishte me një lojtar më pak, por guximi i bardhebluve për të sulmuar prodhon autogolin e Radas që vendosi fatin e trofeut në minutën e fundit të kohës së rregullt.


Ndeshja nis e kujdesshme për të dyja skuadrat, por shumë shpejt erdhën rastet për gol me Gilman Likën që vë në vështirësi portierin Orges Shehi nga një goditje dënimi, dhe Plakun dhe Kulin shqetësojnë portierin Ilion Lika, që grushtoi mbi ta. Janë më kërkues korçarët, që minutë pas minute rrisin presionin në gjysmëfushën bardheblu. Aksionet nuk mungojnë sa në njërën portë aq edhe në tjetrën. Skuadrat luajnë hapur, por duhej të vinte minuta e 30-të e lojës, që Pejiç të nxjerrë në pah aftësitë e tij, jo konkluduese këtë radhë, por në asistimin që i bën Orelesit. Ky i fundit humbet një tjetër rast të mirë për të shënuar. Peposhi, i riu që zëvendësoi Ferrajn e dëmtuar kthehet në shqetësimin kryesor për korçarët me inkursionet e veta nga e majta e sulmit kryeqytetas. Dhe goli i parë i ndeshjes, që ka për autor Takun, vjen nga një goditje dënimi e fituar prej tij. Ky i fundit, pasi ka marrë një pasim nga Dushku, gjuan fort, në ecje e sipër, duke shënuar në portën e Shehit. Tirana e sheh veten në epërsi, kur kanë mbetur 6 minuta nga përfundimi i pjesës së parë. E cila mbyllet me fitoren 1-0 të Tiranës. Por ka nervozizëm mes Gilman Likës dhe Arapit. Në minutën e 49-të Skënderbeu humbet një tjetër rast të rëndësishëm për të shënuar golin e barazimit me anë të Pejiç. Por, atë që nuk e bën dot Pejiç, e bën Plaku, më i miri në fushë për Skënderbeun. Në minutën e 51-të, përfiton nga një gabimi i mbrojtjes bardhblu, Plaku barazon rezultatin dhe rihap ndeshjen. Skënderbeu luan më mirë, duke spostuar lojën në gjysmëfushën e bardhebluve. Tirana vuan, ndërsa Gilman Lika dhe Peposhi mundohet të bëjnë diçka në mesfushë. Mesfusha nuk funksionon, pasi në këtë fraksion loje Muçollari është në hije. Në minutën e 68-të hyn në fushë Klodian Duro në vend të Karabecit dhe me eksperiencën e tij ai rrezikon portën e korçarëve në minutën e 73-të. Ndërsa porta e Ilion Likës kthehet në shënjestrën e skuadrës së Mirel Josës, por portieri bardheblu nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë. Tirana mbetet me një lojtar më pak në fushë, pas kartonit të dytë të verdhë që kompleton një të kuq për Dushun, në minutën e 83-të dhe duket se për Skënderbeun gjithçka bëhet më e lehtë. Rastin për të mbyllur ndeshjen e kishte Plaku në minutën e 86-të i vetëm përballë Ilion Likës, por gjuan mbi traversë. E ndërsa pritej që ndeshja të shkonte në shtesë, në minutën e 90-të Duro jep një pasim për Gilman Likën, që fut një top në zonë. Radas tenton të largojë, por është i pafat, sepse topi përfundon në rrjetë, duke vulosur kështu fitoren befasuese 2-1 të Tiranës, që i gëzohet Superkupës së 10-të të Shqipërisë. Kjo është Superkupa e dytë radhazi që bardheblutë fitojnë pikërisht kundër Skënderbeut, i cili ndihet i zhgënjyer për mënyrën se si e humbi këtë trofe. Kapiteni i Tiranës, Ilion Lika, ngre në fund trofeun dhe feston me tifozët fanatikë që kishin mbështetur skuadrën në shkallët e stadiumit.


 


Libri i Artë i Superkupës


Tirana     10   1994, 2000, 2002, 2003, 2005, 2006, 2007, 2009, 2011, 2012


Dinamo     2    1989, 2008


Vllaznia   2    1998, 2001


Flamurtari 2    1990, 1991


Partizani Tirana     1    2004


Elbasani   1    1992


Besa Kavajë     1    2010