Superliga
Duhej të ishte një festë për Shkodrën, por në fund ishte një triumf korçar. Kampionët në fuqi të Shqipërisë e tregojnë forcën e tyre të vërtetë që në start, duke e nisur kampionatin e 74-t kombëtar të futbollit me një fitore bindëse, të arritur brenda në “Loro Boriçi”. Heroi i ndeshjes është Pero Pejiç, gjiganti kroat i Skënderbeut, që e nis në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në radhët e juglindorëve. Rikthim i suksesshëm edhe për Mirel Josën në kryeqendrën e veriut, aty ku ka drejtuar për mjaft kohë skuadrën vendëse dhe ku tifozeria e kujton ende me respekt. Vetëm se kësaj radhe Josa e ka mundur Vllazninë, në një sfidë ku tifozeria e zjarrtë shkodrane kishte mbushur shkallët e stadiumit si asnjëherë këto vitet e fundit dhe priste të shihte Vllazninë e përforcimeve të shumta. Fillimi i ndeshjes ishte premtues për Vllazninë, që krijoi volum loje dhe iu afrua në disa raste rrezikshëm portës korçare, por pikërisht reparti më i mirë i Vllaznisë në letër, mbrojtja, bëri gafa të pafalshme. Edhe pse me emra si Osmani e Beqiri, të afruar këtë verë, mbrojtja shkodrane u shfaq e fjetur, aspak pozicinonale dhe me gabime të shumta në rreshtim, duke ia lehtësuar punën autorit të tripletës për bardhekuqtë, Pejiç. Jo më lart u shfaqën edhe repartet e tjera të Vllaznisë, që stonuan ndjeshëm dhe nuk gjetën thuajse për asnjë moment kohezionin e duhur, ndërkohë që ka zhgënjyer dyshja sulmuese Hysa-Rexha. Pa u sforcuar shumë dhe me një mbrojtje shumë të kujdesshme, Skënderbeu ka marrë 3 pikë “të rënda” dhe në këtë mënyrë i ka vënë kapak minikrizës psikologjike që erdhi pas largimit të presidentit Zeqo.
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1-3
Smajli 77′ / Pejiç 19′, 34′, 47′
Vllaznia: Vujadinovic – Smajli, T.Osmani, E.Beqiri, Begaj (Shtubina 70′) – Nallbani, Dragoi, Delic (Semina 53′), Hajdari (Belisha 81′) – Hysa, Rexha.
Trajner: Sh.Duro
Skënderbeu: Shehi – Gvozdenovic, Bici, Radas, Arapi – S.Lilaj, Orelesi, Kerciku (Caushaj 91′), Dimo (Vrapi 63′) – Pejic, Plaku (Kuli 84′).
Trajner: M.Josa
Gjyqtar: Laver Alla, D. Koreshi (Lushnje), D. Rexha (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Osmani 71′, Belisha 83′, Rexha 91′ / Kërçiku 73′
JAVA E PARE
24/08/12
Vllaznia – Skënderbeu 1-3
25/08/12
Apolonia – Kastrioti
Laçi – Besa
Tomori – Tirana
26/08/12
Kukësi – Luftëtari
Bylis – Flamurtari Vlorë
Shkumbini – Teuta