Laçianët fitojnë në shtëpi, Shkumbini e Apolonia ndahen baras


Java e 10 e Superligës ka hapur siparin dje me katër ndeshjet e para. Dy të luajtura në orën 14:00 dhe dy të luajtura në orën 17:00. Pavarësisht pritshmërisë për këto dy takime, ka ndodhur e kundërta. Skënderbeu është ndalur në Kavajë nga Besa, ndërsa Flamurtari ka fituar bindshëm 3-0 kundër Kastriotit në “shtëpi”. Laçianët, pas humbjes turpëruese 4-0 në Ballsh një javë më parë, dje janë rikthyer te fitorja me tregolësh, duke fundosur gjirokastritët dhe më shumë në krizë. Për sa u përket dy ekipeve që qëndrojnë në fundin e tabelës, Apolonisë dhe Shkumbinit, ato kanë ndarë një barazim të “ftohtë”, duke i shtuar më shumë premisat për të rënë në një kategori më poshtë.


Besa – Skënderbeu 1-1


Pritej që në Kavajë takimi të përfundonte me një rezultat fitues për një nga të dy skuadrat, por nuk ka ndodhur ashtu siç pritej. Vendasit kanë shënuar të parët me anë të Meglid Mihanit në minutën e 67, por miqtë kanë barazuar 11 minuta më vonë me anë të Plakut. Ndërsa korçarët kanë pasur edhe fatin e fitimit të një 11-metërshi, i cili është kontestuar gjatë nga vendasit, por në fund është grushtuar me mjeshtëri nga portieri Alban Hoxha, i cili u hoqi nga duart fitoren miqve. Megjithatë, edhe pse korçarët u ndalën në barazim me kavajasit, ata qëndrojnë në kreun e tabelës me 21 pikë dhe të palëkundur në pozitat e tyre. Ndërsa Besa, e drejtuar nga Ilir Daja, ka disa javë që nuk gjen fitoren, e cila i ka ndërlikuar pozitat për të mbrojtur zonën “euro”.


Flamurtari – Kastrioti 3-0


Në Vlorë nuk ka më dramë dhe as çudi. Ekipi i Hulian Rubios ka arritur triumfin e dytë radhazi në kampionat. Pas fitores dramatike 2-3 në Gjirokastër, kuqezinjtë kanë arritur të marrin fitoren e parë të pastër në Vlorë. Me anë të këtij trepikëshi ata fillojnë të rivalizojnë vendet e para të renditjes, edhe pse ndodhen 9 pikë larg vendit të parë. Pjesa e parë është mbyllur me golin e Veliut, ndërsa Muzaka dhe Memelli kanë thelluar rezultatin në të dytën.


Laçi – Luftëtari 3-0


Pas “shokut” të një jave më parë, kurbinasit gjejnë një fitore mbresëlënëse kundër Luftëtarit në “shtëpi”. Golat e Vucaj, Buljan e Nimanit i kanë dhënë një debutim me humbje shkodranit Edi Martini në krye të pankinës së Luftëtarit.


Shkumbini – Apolonia 0-0


Pritej që të kishte një fitues në garën për t’iu shkëputur fundit të tabelës mes Shkumbinit dhe Apolonisë, por në fund të takimit skuadrat janë ndarë me rrjeta të paprekura. Kjo humbje ndërlikon pozitat e të dyja ekipeve, ndërsa drejtues të të dyja kampeve pohojnë se tashmë janë në luftë serioze për t’iu larguar rënies direkte nga kategoria.


Sot do të luhen edhe tri takime të tjera për të mbyllur javën e 10 të Superiores.