Superliga, Teuta dhe Shkumbini fitojnë ndeshjet në shtëpi


Kampionët në fuqi kanë fituar dje në shtëpi ndaj ndjekësve të Kukësit, me rezultatin 2-0, duke e lehtësuar rrugën drejt titullit të radhës. Kuksianët kanë rezistuar për gati 70 minuta, deri sa Orelesi ka lëshuar nga jashtë zonës një predhë që ka përfunduar në trekëndëshin e portës kuksiane. Më vonë ishte Dimo, i futur në pjesën e dytë, ai që shënoi pas një asisti në zonë dhe kuksianët u dorëzuan.


Vllaznia pësoi dje humbjen e radhës në kampionat, kësaj here përballë Kastriotit, ku ekipi nga Shkodra u mund 3-2. Skuadra e teknikut Duro duket se nuk po e gjen formën e mirë në fillim të kampionatit. Për Kastriotin shënuan Fataki në minutën e 16’ dhe Turdiu, i cili realizoi dy herë në minutat e 53’ dhe 85’. Për Vllazninë, golat u shënuan nga Rexha dhe Dragoi.


Në takimin mes Shkumbinit dhe Luftëtarit, vendasit arritën të fitonin me rezultatin 2-1. Ishin miqtë ata që arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 41’ falë golit të shënuar nga Mersini. Megjithatë në pjesën e dytë është Shkumbini ai që merr frerët e lojës dhe arrin të shënojë dy herë në portën e kundërshtarit me anë të Llucës dhe Dukës respektivisht në minutat e 68’ dhe 80’, duke i dhënë trepikëshin skuadrës që gjithsesi nuk e shpëton nga zona e ftohtë e renditjes.


Në takimin tjetër, Teuta duket se e ka të lehtë kundër Tomorit, pasi “Djemtë e Detit” fitojnë me rezultatin 3-1. Golat e fitores për ekipin bregdetar u shënuan nga Bajaziti në minutën e 76’ kurse Tahiri shënoi dy gola në minutat 79’ dhe 86’. Goli i vetëm për beratasit u shënua nga Mile, në minutën 89 të takimit.