SkenderbeuHuliganët – Ultrasit e Partizanit të Beogradit, të njohur me emrin “Grobari”, kanë filluar të vizitojnë Shqipërinë pak javë para ndeshjes me Serbinë. Disa mesazhe me emrin e këtij grupimi të njohur për huliganizmat në stadiume, janë ngjitur ne disa tabela në Tiranë, që tregon se ata tashmë janë në Shqipëri, ndonëse gjatë këtij muaji janë rritur kontrollet në kufi për individë të tillë problematikë.


Korçarët vazhdojnë serinë e fitoreve duke mundur Tiranën dhe mbeten me pikë të plota


Ermal Kuka


Skënderbeu vazhdon të jetë i pagabueshëm në Kategorinë Superiore, ku ka fituar ndeshjen e katërt në po aq takime të zhvilluara. Këtë radhë, kampionët në fuqi kanë mposhtur 2-1 një rival direkt si Tirana, duke treguar se nuk kanë ndër mend të ndalen në rrugëtimin e tyre dhe se pjesëmarrja në Europa League nuk i ka bërë të nënvlerësojnë aktivitetet kombëtare. Për më tepër, suksesi me përmbysje, ka qenë një mesazh i qartë i forcës së kësaj skuadre që ka një përbërje shumë cilësore me individë të ndryshëm që mund të zgjidhin situatat e vështira.


Supersfida e javës së 4-t nuk ka zhgënjyer aspak pritshmërinë, pasi ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me emocione në fushë dhe në tribuna, ku tifozeritë nuk kanë reshtur së mbështeturi dy skuadrat, edhe pse disa herë e kanë tepruar me fyerje ndaj njëra-tjetrës. Takimi filloi menjëherë me emocione, pasi Tirana gjeti avantazhin që në minutën e tretë. Pas një aksioni në krahun e majtë, Karabeci harkoi saktësisht në zonë, ku Fukui me kokë nuk e kishte të vështirë të dërgonte topin në rrjetë. Japonezi kishte mundësinë të dyfishonte shifrat vetëm një minutë më vonë, por Radas i hoqi atij topin nga këmbët duke mos e lejuar të gjuante në portë, i vetëm para Shehit. Pak nga pak, Skënderbeu rriti ritmin e lojës, duke sulmuar me ngulm sidomos nga krahët me dyshen Latifi-Berisha. Nëse i pari shpërdoroi disa mundësi të mira, i dyti gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 25-të me një goditje diagonale në hyrje të zonës, duke vendosur baraspeshën në shifra. Që nga ai moment, ekipi korçar mori kontrollin e lojës, duke zhvendosur gjithçka në mesfushën kundërshtare. Por Tirana u rezistoi tentativave të ekipit vendas, për të mbyllur pjesën e parë në shifra të barabarta.


Pas pushimit të ndeshjes, bardheblutë lëshuan edhe më shumë terren, me ekipin vendas që përfitoi nga kjo mundësi duke regjistruar disa raste të rrezikshme për të shënuar falë gjuajtjeve të Berishës, Latifit e Olainkës, por pa gjetur katërkëndorin e mbrojtur nga Frashëri. Nga ana tjetër, Tirana u besoi kundërsulmeve të shpejta, me të cilat iu afrua një goli të dytë në minutën e 68-të, përsëri me japonezin Fukui, i cili pas një pasimi të shkëlqyer të Likës, dërgoi topin mbi traversë me një gjuajtje me kokë. Berisha dha një tjetër shkëndijë të talentit të tij me një gjuajtje të shkëlqyer në minutën e 75-të, por traversa i mohoi gëzimin e golit. Pak minuta më vonë, ishin bardheblutë që krijuan një mundësi të shkëlqyer shënimi, por Lika nuk dërgoi topin në rrjetën e boshatisur pas një pasimi të artë të Fukuit. Tirana e pagoi shtrenjtë këtë pasaktësi, pasi pa kaluar një minutë, Skënderbeu gjeti golin e përmbysjes 2-1 falë një gjuajtjeje të saktë me kokë të zëvendësuesit Prognit. Rezultati nuk ndryshoi më, pavarësisht tentativave të Tiranës, që pas ndeshjes mbyllëse të javës së katërt, e sheh veten 7 pikë larg ekipit korçar që mban i vetëm kreun e klasifikimit.


Skënderbeu 2


25′ Berisha, 84′ Progni


Tirana     1


3′ Fukui


Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Arapi, Shkëmbi, Lilaj, Latifi (66′ Progni), Olainka, Berisha, Salihi (88′ Eskuerdinja).


Tr: Mirel Josa


Tirana: Frashëri, Smajli, Muça, Karan, Gërçaliu, Teqja, Karabeci, Lika (90’+1′ Kërçiku), Fukui, Bakaj, Gilberto (67′ Hoxhallari).


Tr: Shkëlqim Muça


KV: Olainka, Berisha / Gërçaliu, Bakaj, Smajli, Karabeci


Gjyqtar: Andi Koçi