Korçarët ruajnë rekordin pa humbje, bardheblutë bindin në fitoren ndaj Apolonisë
Altin Manallari
A do ta ndalë kush Skënderbeun? Kjo është pyetja që vlen të ngrihet në këtë moment të kampionatit, kur skuadra e Mirel Josës, me fitoren 2-1 në shtëpinë e Kastriotit në Krujë, është konfirmuar si skuadra e vetme që nuk njeh asnjë humbje në këtë fillimsezoni pas 11 ndeshjeve të luajtura, por njëkohësisht duke përfituar nga hapat falsë të kundërshtarëve e ka çuar në 4 diferencën me vendin e dytë. “Skënderbeu pushton Krujën”. Duket kontradiktore nëse e lidhim me historinë, por në futboll një gjë është bërë realitet pikërisht dje, kur skuadra që mban emrin e heroit tonë kombëtar, që qëndresën e tij e kishte ndërtuar pikërisht me Kalanë e Krujës, dje e ka pushtuar atë. Në fund të 90 minutave kanë qenë korçarët ata që i janë gëzuar fitores 2-1 ndaj krutanëve. Bëhet fjalë për një ndeshje shumë luftarake, ku vendasit janë treguar më këmbëngulës, por goli u ka buzëqeshur miqve, që kanë menaxhuar lojën dhe janë treguar racionalë. Pas vetëm 6 minutash lojë ka shënuar për Skënderbeun kroati Tomiç, ndërsa në të dytën janë zhvilluar ngjarje vërtet interesante. Kastrioti e shpërngul lojën në gjysmëfushën kundërshtare, në kërkim të golit të barazimit, por humbet shumë dhe e pëson nga kundërsulmi mik. Plaku i dyfishon shifrat në minutën e 70-të, duke e vënë në shina të sigurta suksesin. Megjithatë, goli i Sykajt në minutën e 76-të vjen i shpejtë dhe sikur e intrigoi dukshëm sfidën në 15 minutat e fundit, kur krutanët i luajtën të gjitha kartat, por pa mundur të gjejnë golin. Kuqeblutë tashmë mendojnë të qetë për sfidën e prapambetur me Flamurtarin të mërkurën, ku do të synojnë një tjetër arratisje.
Tirana, që dha njëfarë shenje kthese ndaj Vllaznisë, në atë fitore minimale e me shumë fat në “Loro Boriçi”, ishte më bindëse në këtë javë. Sidomos në pjesën e dytë, kur atë që s’e bëri Apolonia me Ribajn në 45 minutat e para, e materializojnë në favor të tyre të besuarit e Alban Tafajit. Fillimisht Gilman Lika me kokë, pas një goditjeje këndi, pastaj sulmuesi Mirel Cota, i futur në lojë si zëvendësues, kanë vulosur fitoren 2-0 të kryeqytetasve, që duket se kanë gjetur orientimin e duhur me në krye Tafajin dhe po vijojnë ecurinë pozitive. 24 herë kampionët e vendit janë të tretët tashmë në klasifikim, në kuotën 19 pikëve, një më pak se durrsakët dhe pesë më pak se korçarët.
Më tej, e diela solli dy barazime, njërin në Durrës që ishte kthyer në shtëpi e Besës dhe tjetrin në Peqin. Kavajasit dhe shkodranët e Vllaznisë “neutralizuan” njëri-tjetrin duke prodhuar një rezultat aspak frymëzues, 0-0. Barazim dramatik në Peqin, ku dy ekstremitetet e ndeshjes kanë vulosur gjithçka. Kurbinasit shënojnë që nga “tuneli”, me anë të Bilibashit në minutën e 2-të, për ta mbrojtur këtë epërsi për 82 minuta lojë, kur Mustafaj për peqinasit ka baraspeshuar gjithçka, pas shumë e shumë përpjekjesh të të tijve. Kristaq Mile e nis me një barazim në shtëpi rikthimin e tij në krye të Shkumbinit, shumë pak për nevojat jetike të bardhekaltërve, aq më tepër që luhej në Peqin.
Superiore (Java XI)
TË SHTUNËN
Tomori-Luftëtari 1-1
Çarls 75′ / Boci 95′
Teuta-Bylis 3-0
Nika 7′, 89′, Xhafaj 90′
Flamurtari-Kukësi 2-0
Golat: Bratic 11′, Memelli 58′ (pen)
DJE
Shkumbini-Laçi 1-1
Mustafaj 82′ / Bilibashi 2′
Tirana-Apolonia 2-0
G. Lika 63′, Cota 77′
Kastrioti-Skënderbeu 1-2
Sykaj 76′ / Tomiç 6′, Plaku 71′
Besa-Vllaznia 0-0
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Skënderbeu 10 24
2. Teuta 11 20
3. Tirana 11 19
4. Kukësi 11 18
5. Laçi 11 18
6. Vllaznia 11 16
7. Besa 11 16
8. Flamurtari 10 15
9. Bylis 11 15
10. Kastrioti 11 12
11. Luftëtari 11 11
12. Shkumbini 11 8
13. Tomori 11 5
14. Apolonia 11 5