Lara Colturi është e jashtëzakonshme. Skiatorja kuqezi e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Kupën e Botës në Skitë Alpine, gara të cilat këtë vit transmetohen në platformën Digitalb.

Kampionati nisi me ndalesën e Solden në Austri në disiplinën e slalomit gjigant, një garë ku Lara Colturi e mbylli në vendin e dytë me kohën e përgjithshme 2 minuta 14 sekonda e 83 të qintat, vetëm 18 të qintat më shumë se Paula Moltzan që fitoi këtë garë, ndërkohe që vendi i tretë i shkoi Emma Aicher

Në zbritjen e parë Lara Colturi u pozicionua në vendin e 6 me kohën 1 minutë 8 sekonda e 5 të qintat, ndërkohë që kjo zbritje u fitua nga legjenda Mikaela Shiffrin me 1 minutë 07 sekonda e 27 të qintat dhe pas saj u renditën Sara Hector e dyta, Camille rast e treta

Në zbritjen e dytë paraqitja e Lara Colturit ishte akoma më fantastike 1 minutë 6 sekonda e 78 të qintat që ishte koha e tretë më e mirë e kësaj zbritjeje pas asaj të Gasienica Daniel dhe Zenere. Por ajo që ka shumë rëndësi është koha e përgjithshme që e pozicionoi Lara Colturin në vendin e dytë me skiatoren kuqezi që në këtë garë të parë la pas emra të tillë si Camille Rast dhe Mikaela Shiffrin që e mbyllën garimin e tyre në këtë ndalesë të parë jashtë podiumit respektivisht në vendin e 6 dhe të 7./Top Channel