Pas një muaji me emocione, surpriza dhe përballje spektakolare, Kupa e Botës 2026 arrin sonte në kulmin e saj me finalen e madhe mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet në stadiumin MetLife në New Jersey.

Për herë të parë në histori, në finalen e një Botërori përballen kampionia në fuqi e Evropës dhe kampionia në fuqi e Amerikës së Jugut, në një duel që pritet të mbledhë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën.

Spanja vjen në këtë finale pas një ecurie mbresëlënëse. Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente ka pësuar vetëm një gol gjatë gjithë turneut dhe ka fituar gjashtë ndeshje radhazi pas barazimit në takimin hapës ndaj Kepit të Gjelbër. Në rrugën drejt finales, iberikët eliminuan Austrinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Francën.

Nga ana tjetër, Argjentina e Lionel Scalonit synon të mbrojë titullin botëror. Kampionët në fuqi siguruan finalen e shtatë në historinë e tyre pasi mposhtën Anglinë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale, ndërsa numërojnë 14 fitore radhazi.

Finalja pritet të shënojë edhe një moment simbolik për futbollin botëror, me Lionel Messin që pritet të luajë ndeshjen e fundit në një Kupë Bote, përballë talentit spanjoll Lamine Yamal, një nga zbulimet më të mëdha të këtij edicioni.

Edhe historia e përballjeve mes dy kombëtareve është e balancuar. Spanja dhe Argjentina kanë nga gjashtë fitore secila dhe dy ndeshje kanë përfunduar në barazim. Takimi i vetëm mes tyre në një Kupë Bote është fituar nga Argjentina në vitin 1966.

Gjithçka është gati për finalen që do të vendosë kampionen e re të botës. Spanja synon trofeun e saj të dytë botëror, ndërsa Argjentina kërkon të mbrojë kurorën dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik në futbollin botëror.