Pas një muaji me spektakël, emocione dhe surpriza, sot vjen momenti më i shumëpritur i Kupës së Botës 2026. Në stadiumin MetLife në New Jersey, Spanja dhe Argjentina do të zbresin në fushë për të luftuar për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Për herë të parë në histori, në finalen e Botërorit përballen kampionia në fuqi e Evropës dhe kampionia në fuqi e Amerikës së Jugut, në një sfidë që pritet të ndiqet nga miliona tifozë në të gjithë botën.
Spanja ka qenë skuadra më dominuese e këtij turneu. Iberikët kanë pësuar vetëm një gol gjatë gjithë Botërorit dhe nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh. Skuadra e Luis de la Fuente ka regjistruar një seri prej gjashtë fitoresh radhazi pas barazimit në ndeshjen hapëse ndaj Kepit të Gjelbër dhe në rrugën drejt finales ka eliminuar Austrinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Francën.
Nga ana tjetër, Argjentina ka treguar edhe një herë forcën e saj. Kampionët në fuqi siguruan finalen e shtatë në historinë e tyre pas përmbysjes ndaj Anglisë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinale. Skuadra e Lionel Scalonit vjen me një seri prej 14 fitoresh radhazi dhe kërkon të bëhet vetëm kombëtarja e dytë në histori që fiton dy Kupa Bote njëra pas tjetrës.
Finalja sjell edhe një përballje simbolike mes dy brezave të futbollit. Në njërën anë është Lionel Messi, i cili pritet të luajë ndeshjen e fundit në një Kupë Bote, ndërsa në anën tjetër qëndron talenti spanjoll Lamine Yamal, një nga lojtarët që ka shkëlqyer më shumë në këtë edicion.
Përballja mes dy kombëtareve ka një histori të ekuilibruar, me nga gjashtë fitore për secilën skuadër dhe dy barazime. Takimi i vetëm në një Kupë Bote është fituar nga Argjentina në vitin 1966, ndërsa Spanja ka dominuar përballjet më të fundit.
Kjo finale nuk do të jetë vetëm një betejë për trofeun, por edhe një duel taktik mes dy trajnerëve, Lionel Scalonit dhe Luis de la Fuentes. Të dy kanë ndërtuar skuadra të suksesshme dhe synojnë të lënë gjurmë në historinë e futbollit.
Sfida në MetLife Stadium pritet të ndikojë edhe në garën për Topin e Artë 2026. Messi kërkon një tjetër vlerësim historik në fund të karrierës së tij ndërkombëtare, ndërsa Lamine Yamal synon të konfirmohet si një nga yjet e rinj të futbollit botëror.
Për Argjentinën, kjo finale është edhe një mundësi për të vazhduar epokën e artë të nisur me triumfin në Copa America 2021, Finalissima 2022, Kupën e Botës 2022 dhe Copa America 2024.
Gjithçka është gati për një natë historike në New Jersey. Spanja kërkon të kurorëzojë një turne perfekt me trofeun e dytë botëror, ndërsa Argjentina synon të mbrojë titullin dhe të shkruajë një tjetër kapitull të artë në historinë e futbollit.
