Spanjollët i tremben Ronaldos, që gjen përballë Zherard Pike
Një sfidë brenda sfidës, derbi për të dy. Kjo është gjysmëfinalja e parë. Në pritje të Spanjë-Portugali të gjithë po mbajnë frymën, nga lojtarët te tifozët e mbetur në Spanjë, që kanë mbushur qytetet me flamuj verdhekuq. Pa harruar Parlamentin, që shpreson (këtë e ka siguruar Kryeministri Rahoi në fillim të Europianit) te një fitore e “Furive të Kuqe” për t’i dhënë “pak alegri” një vendi në një tunel pa dalje. Kampionët në fuqi të botës dhe të kontinentit janë të vetëdijshëm për forcën e tyre, por e dinë që nuk duhet të nënvlerësojnë kundërshtarët, që nga ana e tyre kanë ende pezull një larje hesapesh me skuadrën e Del Boskes për eliminimin në 1/8 e Botërorit 2010. Dhe për të rritur tensionin në prag duheshin edhe komentet e mbi atë që do të jetë një përsëritje në miniaturë e “El Clasicos” së La Ligas, me 14 lojtarë në valle mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Një Spanjë-Portugali që, në letër, nuk duhet të trembë shumë “La Roja”-n. Por me një Kristiano Ronaldo të uritur për gol dhe për “Topin e Artë”, askush nuk mund të ndihet i sigurt, përsërit shtypi britanik. As Iker Kasijas, të cilit portugezi nuk i ka shënuar kurrë. Edhe pse këtë herë luan në krah të Nanit, që më në fund gjeti vendin e tij në një kombëtare që përmirësohet ndeshje pas ndeshje. Por shtypi luzitan, pavarësisht përkëdheljeve për kampionin e saj, nuk tregon shumë siguri. “Më i rrezikshmi i Spanjës? Platini”, thonë gazetarët, që nuk i kanë përtypur deklaratat e francezit në konferencën e tij për shtyp për një finale Spanjë-Gjermani. Edhe sepse kujtojnë se ishte pikërisht i njëjti parashikim për Europianin e kaluar. Edhe pse Del Boske thotë që ky “është një absurditet”, mediat dhe tifozët spanjollë janë shumë të shqetësuar për të zbuluar të gjitha detajet e një ndeshjeje në të cilën Real Madridi e Barcelona do të jenë më prezentë se kurrë. Aq sa ndonjë “admirues” madrilen siguron se do ta ketë zemrën e ndarë mes kombëtares dhe CR7. Do të jenë 8 (përfshi pankinën) njerëzit e Murinjos në fushë për gjysmëfinalen, ndërsa 6 djemtë e skuadrës katalanase. Por të gjithë me bluzën e kuqe. Detaj i rëndësishëm ky, sepse marka e skuadrës spanjolle është e Barçës, “tiki-taka” (si e quajti Guardiola), lojën që fut në kurth kundërshtarin me një rrjet pasimesh deri në momentin që shënohen golat, të cilët vendosin ndeshjen. Dhe pikërisht për këtë, pavarësisht se janë lojtarë si Fabregas, Torres ose i adhuruari Pedro, ankohen për mungesën e prekjes së gjeniut, që zgjidh situatat më të komplikuara. Pra, e Mesit ose e një Vija, mungesa e të cilit më shumë se kurrë u ndie ndaj Francës, pavarësisht se skuadra demonstroi siguri. Pikërisht në këtë derbi të derbeve përballen, kokë më kokë, shtylla e mbrojtjes spanjolle e katalanase dhe ylli i Portugalisë e madrilenëve: Pike dhe Ronaldo. Sulmuesi ka shënuar vetë 5 herë (një me penallti) në 16 ndeshjet ndaj mbrojtësit katalan, që duhet të mbajë mbi shpatulla peshën e mbrojtjes spanjolle. Pra do të mendojë ai për të ndalur Ronaldon, ka siguruar Ksabi Alonso, nuk do ta ndryshojë stilin e tij për të frenuar CR7. Ndërsa vetë Pike sfidon me shprehjen “kur topin e kemi ne, nuk e kanë kundërshtarët”.
Formacionet e mundshme
PORTUGALIA (4-3-3)
Rui Patrisio, Zhoao Pereira, Pepe, Bruno Alvesh, Fabio Koentrao; Zhoao Mutinjo, Migel Velozo, Raul Meireles; Kristiano Ronaldo, Helder Postiga, Nani
Tr.: Paulo Bento
SPANJA (4-3-3)
Iker Kasiljas, Alvaro Arbeloa, Serxho Ramos, Zherard Pike, Hordi Alba, Serxho Buskets, Ksabi Alonso, Ksavi hernandez, David Silva, Fernando Torres, Andres Iniesta.
Tr.: Vinsente Del Boske
Polemikat
Portugezët i frikësohen arbitrit dhe Platinisë
Parashikimi i Mishel Platini se finalja e Euro 2012 do të jetë Spanjë-Gjermani, ka filluar t’i shqetësojë së tepërmi portugezët. Një nga të dërguarit e Federatës Portugeze të Futbollit, Zhoze Karlos Freitas, deklaron për gazetën “Record”: “Në Euro 2000 ndodhi diçka e ngjashme. U tha se UEFA-s do i pëlqente një finale mes Francës e Gjermanisë dhe ne u eliminuam po atë ditë nga francezët”. Kjo ka ngjallur polemika në Portugali, ku tashmë besimi i institucionit më të lartë të futbollit është në minimumin historik. Drejtuesit e Federatës Portugeze të Futbollit kanë kritikuar gjithashtu vendimin për t’i besuar gjykimin e takimit me Spanjën arbitrit turk Cuneyt Cakir: “Kishte gjyqtarë më të mirë nga vende që tashmë janë eliminuar, por kanë zgjedhur turkun. Ai nuk është në nivelin e duhur për një ndeshje të tillë.” Portugezët kanë të freskët edhe ndeshjen Spanjë-Kroaci, ku ballkanasve mund t’u ishin akorduar dy 11-metërsha në ndeshjen e fituar 1-0 nga iberikët, duke përforcuar bindjen se kampionët në fuqi të Europës dhe botës po favorizohen. “Lojtari më i rrezikshëm i Spanjës? Platini”, thonë me shaka gazetarët portugezë në Ukrainë. Ata mendojnë se parashikimi i tij për finalen e Euro 2012 ishte një deklaratë e papërgjegjshme, sepse tashmë arbitri turk mund të ndikohet nga kjo gjë, në mënyrë që të shihet me sy të mirë në të ardhmen nga UEFA. Gjysmëfinalja Spanjë-Portugali do të luhet të mërkurën (27 qershor, ora 20.45) në Donetsk (Ukrainë).