Anglia e Hoxhson eliminon Suedinë e Ibrahimoviçit, pas përmbysjeve të njëpasnjëshme që vulosën fitoren 2-3 të anglezëve Në 45 minutat e para, asnjë nga të dyja skuadrat nuk ka shkëlqyer vërtet, por për atë që kemi parë në këtë fraksion të lojës, anglezët e kanë merituar avantazhin 1-0. Goli ka qenë një perlë cilësore në një ndeshje mesatarisht të thatë nga emocionet. Zherrard kthen në lojë një top të destinuar për të përfunduar jashtë vijës anësore dhe nga mesfusha shërben një kros preciz për Andi Kerol, i cili gjendet në mes të zonës së suedezeve. Sulmuesi anglez nuk e lë t’i ikë rasti dhe e çon topin pas shpatullave të Isakson me një goditje të fuqishme me kokë. Suedia tregon mungesën e kualitetit dhe vuan në krijimin e aksioneve të rrezikshme. Lojtari i saj simbol, Ibrahimoviç, provon të dalë në pah, por nuk mundet të mbajë i vetëm gjithë peshën e sulmit. Pjesa e dytë është një spektakël i vërtetë emocionues. Pas vetëm 5 minutash, Suedia gjen me fat barazimin, falë autogolit të Glen Xhonson. Por hovi i Suedisë nuk ndalet dhe në minutën e 59-të vjen edhe goli i përmbysjes 2-1. Ai që ndëshkon është Olof Melberg, i cili ka mundësinë të kërcejë i vetëm në zonë dhe të mposhtë portierin Hart me një goditje me kokë. Reagimi anglez është i menjëhershëm. Në të 64-n, në një goditje dënimi, Teo Ualkot shkarkon një parabolë të mrekullueshme nga jashtë zonës, trajektorja e së cilës befason të papërgatiturin Isakson dhe përfundon në rrjetë. Skuadra e trajnerit Hoxhson nuk dëshiron të ndalet dhe në të 78-n, Uellbek merr një asist fantastik nga Uollkot dhe me thembër në kthim e sipër befason mbrojtjen dhe portierin Isakson për të shënuar kështu golin e 3-2 për Anglinë. Anglia humbet edhe një rast tjetër me Zherrard në fund, por gjithsesi Anglia thyen më në fund tabunë duke mundur për herë të parë Suedinë, e cila pas kësaj humbjeje i bashkohet Irlandës, duke i dhënë lamtumirën e parakohshme kompeticionit.


 


Suedi-Angli 2-3


SUEDIA (4-4-1-1)              


Andreas Isaksson     ; Andreas Grankvist (Mikael Lustig 66’), Olof Melberg, Jonas Olson, Martin Olson; Sebastian Larson, Kim Kallstrom, Anders Svenson, Rasmus Elm (Christian Wilhelmsson 81’); Zlatan Ibrahimoviç; Johan Elmander (Markus Rosenberg 79’)


Tr.: Erik Hamren    


 


ANGLIA (4-4-1-1)    


Xho Hart; Glen Xhonson, Xhohn Terri, Xholeon Leskot, Eshli Kol; Xhejms Milner (Teo Ualkot 61’), Steven Zherrard, Skot Parker, Eshli Jung; Deni Uelbek (Aleks Okslade-Çamberlein 89’); Andrju Kerrol


Tr.: Roy Hodgson


 


Gjyqtar: Damir Skomina (Slloveni)


Shënues: Kerrol 23’, Ualkot 64’, Uellbek 78/ G. Xhon (ag.) 49’, Melberg 59’


Kartona të verdhë: Milner 58′ / Melberg 63′, Xh. Olson 72′, Svenson 90′