Tiranë
Ka startuar sot Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rritur, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Në Aeroportin e Rinasit kanë zbarkuar 35 ekipe pjesëmarrëse, afërsisht 400 sportistë dhe mbi 50 trajnerë, si dhe një numër presidentësh dhe figurash të larta të peshëngritjes. Kampionati Europian i Peshëngritjes për Të Rritur, e para veprimtari e këtij që po mbahet në vendin tonë, ka ngritur siparin dje me ceremoninë e hapjes, që është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Në këtë ceremoni të thjeshtë ishte ndërthurur ana protokollare me spektaklin, duke ofruar një buqetë muzikore dhe vallesh folklorike dhe moderne. Duke u uruar mirëseardhjen në këtë Europian sportistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë nga kontinenti i vjetër, ministri Visar Zhiti, ka përfituar nga rasti që të nxjerrë në pah edhe domethënien e madhe që ky kampionat madhor ka për qeverinë shqiptare, kujdesin dhe mbështetjen që ka dhënë për sportin shqiptar, veçanërisht për peshëngritjen, duke e konsideruar këtë veprimtari si një nxitje të frymës së bashkëpunimit në nivel europian dhe atë botëror.
Në përshëndetjen e tij, Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, e cilësoi si historik zhvillimin e këtij kampionati në Shqipëri, duke shprehur bindjen se ai do të jetë një sukses, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ. Ndërsa kreu i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, ka falënderuar gatishmërinë e Shqipërisë për ta mirëpritur dhe organizuar me sukses këtë veprimtari madhore, sidomos duke pasur parasysh kohën shumë të shkurtër në dispozicion. Shqipëria e nisi pozitivisht Europianin. Në kategorinë 56 kg ekipi shqiptar u përfaqësua nga dy peshëngritës të rinj dhe me perspektivë, që arritën rezultate brenda pritshmërive Federatë shqiptare të Peshëngritjes. Anxhelo Shabani 95 kg në shkëputje, 105 në shtytje, 200 në dygarësh. Ndërsa Arbër Çerçizi ngriti 100 kg shkëputje, 117 kg në shtytje, 217 në dygarësh.