Nga Skënderbeu tek Olimpiada Londër 2012, zhvillimet më spektakolare sportive në 365 ditë


Altin Manallari


2012-a ka qenë një vit shumë i pasur me sport. Përveç kompeticioneve të rregullta, janë shtuar në fakt Europianët e Futbollit dhe mbi të gjitha, Olimpiada Londër 2012. Është e vështirë për të bërë një përzgjedhje, sepse momentet magjike dhe spektakolare që ka dhuruar sporti në këto 365 ditë, kanë qenë vërtet të shumta. Kemi vendosur t’i kujtojmë në një renditje 10 ngjarjet më të bujshme të sportit. Përpara se të shpërthejnë gojët e liga, ju paralajmërojmë se lista nuk është një klasifikim, por është shkruar thjesht në rend kronologjik.


CHAMPIONS LEAGUE / Çelsi bëhet “mbret” i Europës


Më 19 maj, në Mynih, Çelsi është kampioni i Europës, pasi në finalen e madhe të Champions League mundi Bajernin e Mynihut me rezultatin 4-3, pas ekzekutimit të penalltive, pasi koha e rregullt u mbyll baras 1:1. Padyshim që hero i kësaj finaleje të madhe ishte sulmuesi Didier Drogba, i cili shënoi golin e barazimit, si dhe atë vendimtar gjatë ekzekutimit të penalltive. Çelsi fitoi titullin e parë në Champions League.


SUPERIORE / Skënderbeu dominon kampionatin


Skënderbeu mbetet skuadra më e fortë e Superiores e cila po dominon bindshëm futbollin shqiptar. Statistikat flasin për një 2012 fantastike për korçarët, të cilët kanë regjistruar 43 ndeshje midis kampionatit, Kupës, Superkupës dhe Champions League. Në maj të këtij viti, u rikonfirmua për të dytin vit radhazi kampion i vendit, ndërkohë që në përfundimin e fazës së parë të sezonit 2012-2013 kryeson i shkëputur Superioren.


EURO 2012 / Spanja, kampionia e Europës


Kombëtarja e Spanjës ka mbrojtur titullin e kampionit të Europës, pasi në Stadiumin Olimpik në Kiev ka mundur Italinë 4-0, në finalen e Euro 2012. “Furia e kuqe” ka shkruar historinë e re në futboll, pasi luajti dhe fitoi finalen e tretë të turneve të mëdha të sportit më të popullarizuar në glob. Përfundimisht spanjollët edhe një herë dëshmuan se mbeten superfuqi në botë.


LONËDR 2012″ / Amerika fiton 104 medalje


Ngjarja kryesore e vitit 2012 padyshim ishin Lojërat Olimpike “Londër 2012”. E gjithë bota për 16 dit jetoi Olimpiadën që u mbajt në tokën britanike. Mbi 10 mijë sportistë botërorë për 16 ditë dëshmuan vlerat e tyre. U thyen 44 rekorde botërore dhe 117 rekorde olimpike. SHBA ia doli të rrëmbejë më shumë medalje, 104 të tilla, 17 më shumë se Kina.


OLIMPIADA KUQEZI / Shqipëria, një dështim


Olimpistët shqiptarë në Lojërat Olimpike Londër 2012 nuk lënë asnjë shenjë, përjashto disa rekorde kombëtare. Zhgënjyen peshëngritësit Romela Begaj (vendi i 11, por mbahet mend vetëm për “fillaken” e dështimit), Briken Çalia (i 9-ti), Endri Karina (i 14-ti). Gerti Trasha dhe Daniel Godelli dështuan në të tria provat. Xhudistja Majlinda Kelmendi u eliminua në fazën e 1/8. Ndërsa nga të tjerët nuk pritej asgjë më shumë.


DOPINGU / Goditja e rëndë e peshëngritjes


Kampioni shqiptar i Europës dhe njëkohësisht një ndër shpresat e mëdha të Shqipërisë për medalje në Londër 2012, Erkand Qerimaj u pezullua për doping në muajin maj. Pak para fillimit të Lojërave, dopingu goditi sërish. Këtë herë ishte peshëngritësi tjetër, Hysen Pulaku, i cili rezultoi pozitiv me substancën Stanozolol. Imazhi i Shqipërisë në Londër 2012 pësoi një goditje të rëndë, pasi kishte dalë pozitiv edhe Ilir Suli.


BOKS / Nuri Seferi, kampion Europe


Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, u shpall kampion i Europës në versionin ËBO pesha cruiser, pas triumfit që arriti kundër sfidanit serb, Nenad Stankoviç. Në palestrën “Boris Trajkovski” Nuri Seferi, i cili mbron ngjyrat e Shqipërisë, triumfoi që në raundin e parë. Ky i fundit, do të sulmonte furishëm që në fillim, por falë gjakftohtësisë dhe përvojës së Nuri Seferit, një goditje e tij e hodhi në tapet boksierin serb.


KIK DHE TAI BOKS / Ismail Keta, kampion bote


Ismail (Jonny the Bull) Keta ka rifituar edhe një herë titullin e kampionit të botës në Kik dhe Taj boks. Në raundin e tretë të ndeshjes së zhvilluar në Dyseldorf të Gjermanisë, ai ka mundur me nokaut holandezin Remo Arnst. Djaloshi me origjinë nga Bulqiza, i cili garon në flamurin e Gjermanisë, dominoi duelin deri në raundin e tretë, kur holandezi u dorëzua. Titull të cilin e kishte humbur pikërisht më 5 maj të 2012-s.


TRUKIMET / Shqipëria, futbolli më i korruptuar


“Kampionati shqiptar i futbollit është më i korruptuari në botë”. “Sportradar”, lideri botëror i monitorimit të kuotave të basteve dhe fluksit të parave të luajtura në futboll, ka bërë një analizë të mirëfilltë për ndeshjet e trukuara. Shqipëria kryeson renditjen me 97 ndeshje, Italia (70), Moldavia (66), Estonia (46), Greqia (45), Rusia (42), Maqedonia (37) Bullgaria (35), Letonia (31) dhe Lituania (31).


GOLASHËNUESI / Mesi thyen Mulerin, rekord i ri


Në të vërtetë, viti 2012 nisi dhe përfundoi nën shenjën e Lionel Mesit. Kjo për faktin se më 9 janar të 2012-s, ai fitoi “Topin e Artë” si lojtari më i mirë i vitit 2011. Por futbollisti më i mirë në botë, në fund të këtij viti, arriti që të thyejë rekordin e legjendës braziliane Pele (75) dhe ikonës gjermane Gert Myler (85). Këtë vit, Mesi shënoi 91 gola. Argjentinasi tashmë cilësohet lojtari më i mirë në historinë e futbollit.