Kartonët
Xhaka e Kukeli, në rrezik për Serbinë
Taulant Xhaka dhe Burik Kukeli rrezikojnë të mungojnë më 8 tetor ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”. Kartonët e verdhë që morën të premten ndaj Danimarkës dy mesfushorët shqiptarë, kanë shkaktuar alarm për trajnerin De Biazi. Xhaka deri tani ka dy të verdha, një e ka marrë mbrëmjen e së premtes dhe tjetrën më 7 shtatorin e vitit të kaluar në Portugali. Kukeli ka marrë dy të verdha radhazi, më 29 mars ndaj Armenisë në Elbasan dhe të premten në Kopenhagën ndaj Danimarkës. Janë ndëshkuar dhe Agolli e Ajeti, por ata nuk rrezikojnë shumë. Megjithatë, Xhaka e Kukeli do t’i kursejnë ndërhyrjet e ashpra nesër, për të mos rrezikuar sfidën e kthimit me serbët.
Gjyqtari
Një milioner për sfidën me Portugalinë
UEFA ka caktuar një treshe gjyqtarësh suedeze për ndeshjen Shqipëri – Portugali, kualifikuese e “Euro 2016”, që do të luhet më 7 shtator në “Elbasan Arena”, në orën 20:45. Kryesor do të jetë suedezi i njohur, Jonas Erikson, 41 vjeç, arbitër ndërkombëtar në FIFA prej vitit 2002. Ndihmës të tij janë Matias Klasenius dhe Daniel Warnmark. Erikson është një multimilioner në vendin e tij. Suedezi u zgjodh për të arbitruar Superkupën e Europës mes Çelsit dhe Bajern Mynih. Ka qenë pjesë e listës së gjyqtarëve të FIFA-s për finalet e Botërorit 2014, në Brazil. Suedezi u bë një multimilioner pas shitjes së aksioneve në një agjenci të të drejtave televizive sportive për mediat.
“Incidenti”
Bllokohet trafiku, kombëtarja në taksi
Kombëtarja është kthyer dje pasdite vonë nga Danimarka në Shqipëri dhe sapo kanë mbërritur, FSHF-ja ka përgënjeshtruar lajmin se autobusi i kuqezinjve kishte pësuar një aksident të lehtë në Kopenhagën, që më pas e ka detyruar të ndryshojë axhendën. Vërtet lojtarët e kombëtares kanë përdorur taksi për të lëvizur në kryeqytetin danez, por sipas një njoftimi, për të qetësuar edhe familjarët e futbollistëve, FSHF-ja sqaron se autobusi i cili po dërgonte kombëtaren në stërvitje është bllokuar në trafik, për shkak të një aksidenti që kishte ndodhur në qendër të qytetit. Për këtë arsye, për të shmangur problemin, lojtarët dhe stafi zbritën nga autobusi dhe udhëtuan me taksi në qendrën stërvitore.
Trajneri
Mediat daneze akuzojnë Olsenin: I paaftë!
Barazimi me Shqipërinë në “Telia Park”, nuk është pritur dhe vlerësuar pozitivisht nga mediat daneze. Këto të fundit, kanë sulmuar dhe akuzuar trajnerin Morten Olsen, i cili “nuk ka ditur të jetë i mprehtë për të zgjedhur lojtarët e duhur për këtë sfidë”. E përditshmja “Extrabladet” ka shkruar se Danimarka “nuk ka cilësinë e duhur për të qenë mes skuadrave më të mira të Europës”. Ndërsa gazeta tjetër “TipsBladet”, kritikon trajnerin që drejton kombëtaren nordike prej 15 vjetësh, “pasi nuk është treguar i zgjuar për të lexuar ndeshjen dhe për të bërë zëvendësimet e duhura”. Po ashtu, 66-vjeçari ka qenë në qendër të kritikave edhe të mediave të tjera daneze, shumë prej të cilave janë habitur me deklaratat e tij, që në vend të merrej me ndeshjen, kishin të bënin me fotot e Ballist Morinës me lojtarët e kombëtares shqiptare. Edhe mediat italiane i kanë kushtuar një hapësirë kësaj ndeshjeje, duke vlerësuar italo-shqiptarin De Biazi. Ndërsa faqja e UEFA-s shkruan: “Shqipëria i rezistoi presionit danez, falë edhe Berishës, që i dha një pikë me vlera skuadrës së De Biazit”.
Portugalia
Santos: Vetëm fitorja na konsolidon në krye
Humbja në ndeshjen miqësore me Francën në “Alvalade” nuk e ka shqetësuar shumë trajnerin e Portugalisë,
. Mendja e teknikut lusitan është e përqendruar totalisht te sfida me Shqipërinë, e vlefshme dhe e rëndësishme, pasi kuqezinjtë mund të dalin në vend të parë në rast fitoreje nesër në “Elbasan Arena”. “Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë me Francën”, thotë trajneri 60-vjeçar. “Portugalia luajti shumë mirë”. Santos e shikon të sikletshme situatën në Grupin I, pasi renditja mes tri skuadrave është e ngjeshur. “Tani duhet të përgatisim ndeshjen e radhës me Shqipërinë, e cila është mjaft e rëndësishme për ne. Situata në krye të grupit tonë kualifikues është bërë “shpërthyese”, sepse tri skuadrat i ndan vetëm një pikë. Më konkretisht, ne jemi të parët, por danezët dhe shqiptarët i kemi shumë pranë. Për këtë, ballafaqimi i së hënës me shqiptarët merr rëndësi të jashtëzakonshme. Fitorja na konsolidon në krye, ndërsa çdo rezultat tjetër na vështirëson gjërat”, theksoi ai. Ndërkohë Santos ka thirrur edhe Paulo Oliveirën nga Portugalia për sfidën me Shqipërinë.