Spanjë

“Show” dhe rekord, Ronaldo në historinë e Realit

Kristiano RonaldoKristiano Ronaldo i ka bërë të heshtin të gjithë kritikët e tij, duke shënuar 5 gola në ndeshjen e fituar 6-0 nga Real Madridi në fushën e Espanjolit. Benzema shënoi golin tjetër të “merengesave”. Fenomeni portugez, i cili nuk kishte shënuar asnjë gol deri dje, ka udhëhequr skuadrën e Benitezit dhe bëhet golashënuesi më i mirë i historisë së Realit në kampionat me 230 gola. Në stadiumin “Cornelia-El Prat”, Espanjoli ka rezistuar vetëm 7 minuta, aq sa iu deshën Ronaldos për të shënuar golin e parë pas një krosimi të Modriç. Portugezi ka dyfishuar rezultatin në minutën e 16 me 11-metërsh, të dhënë për një faull ndaj Bejl. “Tris”-i vjen me akrobaci pas një krosimi të sulmuesit uellsian. CR7 bëhet protagonist edhe në golin e katërt, i shënuar nga Benzema, duke dhënë asistin për francezin. Në pjesën e dytë Reali nuk ndalon dhe Ronaldo realizon sërish falë një prekjeje të lehtë të topit pas pasimit të Bejl në minutën e 61. Golin e gjashtë 29-vjeçari e shënon në minutën e 80 me një goditje të fortë me të djathtën. Një “manita” që shërben për të larguar të gjitha kritikat. Kristiano shkon kështu në kuotën e 230 golave në kampionat me fanellën e Realit dhe kalon me një “goditje të vetme” Alfredo Di Stefanon me 227 gola dhe Raul Gonzales me 228 gola.

Angli

Çelsi fundoset, Siti nuk ndalet, Junajtid mposht Liverpulin

CelsiÇelsi humb sërish dhe pëson humbjen e tretë në kampionat nga Evertoni, me Mourinjon që regjistron kështu nisjen më të dobët si trajner. Humbja e tretë në Premier Ligë, e dyta radhazi për blutë, që janë “keqtrajtuar” nga Evertoni i Martinezit. Protagonist i takimit ka qenë Stiven Naismith, i cili hyri në minutën e 9 në vend të të dëmtuarit Besiç dhe në minutat 17, 22 dhe 83 ka gjunjëzuar portierin boshnjak Begoviç (Kurtua është i dëmtuar). Goli i serbit Matiç në minutën e 36 ka shërbyer vetëm për statistikë. Kjo është nisja më e dobët për blutë që nga viti 1998 dhe në absolut për “Special One”. Londinezët kanë humbur 4 nga 6 ndeshjet e para të këtij sezoni, duke konsideruar edhe “Community Shield”. Në fund të ndeshjes, nisën të qarkullojnë zërat e parë për shkarkimin e Mourinjos nga stoli, por portugezi, me dinakërinë e tij, është përgjigjur në konferencë shtypi: “Nëse i druhem një shkarkimi të mundshëm? Jo, sepse nuk ka asnjë trajner më të mirë se unë për ta çuar Çelsin drejt suksesit”. Çelsi mbetet kështu në kuotën e 4 pikëve, 11 pikë ndaj kryesuesve të Mançester Sitit, i cili ka fituar kundër Kristal Palasit në minutën e 90 falë golit të talentit 18-vjeçar nigerian Kelechi Iheanacho. Edhe skuadra tjetër nga Mançesteri, Junajtid, ka mundur 3-1 Liverpulin në “Old Traford”.


Francë

Cana dhe Lenjani titullarë ndaj Renes

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, pritet të debutojë sot me skuadrën e tij të re Nantë, në Ligën 1. Mbrojtësi, i cili u transferua te verdhejeshilët francezë para ndeshjeve të kombëtares ndaj Danimarkës dhe Portugalisë për eliminatorët Francë 2016, do të aktivizohet sot ndaj Renes, ish-skuadra e Lenjanit. Po ashtu, edhe anësori kuqezi do të aktivizohet që nga minuta e parë në rolin që luan pikërisht me kombëtaren e De Biazit. Shtypi francez shkruan se Nanta është përforcuar me blerjet e fundit të shqiptarëve, të cilët duhet t’i japin cilësinë e munguar prej vitesh një prej klubeve historike në këtë kampionat. Pas sfidave të kombëtares, Cana dhe Lenjani kanë rifilluar menjëherë stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Mishel Der Zakarian. Nanta ndodhet në kuotën e 7 pikëve në renditje.

Zvicër

Shani Tarashaj, lojtari i muajit gusht

Forma e shkëlqyer gjatë fillimit të këtij sezoni e kanë ngritur Shani Tarashajn në pod. Sulmuesi shqiptar i Grasshoperit është shpallur lojtari i muajit gusht në Zvicër. Sipas një sondazhi të organizuar nga gazeta më e madhe zvicerane, “Blick”, 20-vjeçari me origjinë kosovare ka marrë pjesën më të madhe të votave. Në votim morën pjesë 59 mijë tifozë, 23 mijë prej të cilëve zgjodhën Tarashajn, i cili la pas gjithë rivalët duke rezultuar surpriza e muajit gusht. Tarashaj ka shënuar 6 gola me fanellën e Grasshoperit, ndërsa realizoi edhe në sfidën vendimtare për kombëtaren helvete U-21 në ndeshjen eliminatore të Europianit në Kazakistan. Gjatë muajve të fundit, emri i tij është lakuar edhe në mjediset e kombëtares shqiptare, por sulmuesi i ri ende nuk ka vendosur për të braktisur Zvicrën.

Bundesliga

Bajern dhe Borusia ndezin rivalitetin

Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund konfirmohen skuadrat për t’u mundur në Bundesligë. Suksesi i dyfishtë në javën e katërt të kampionatit, vlen kreun e renditjes me pikë të plota (12) për dy skuadrat gjermane. Verdhezinjtë kanë gjunjëzuar Hanoverin 4-2. Ndërsa skuadra e Guardiolës fiton me përmbysje 2-1 në shtëpi kundër Augsburgut. Golit të Esenit, i përgjigjen Levandovski dhe Myler me 11-metërsh. Në të vërtetë Bajerni ka vuajtur më shumë, pasi në minutën e 77 sulmuesi polak ka arritur të barazojë në fund të një aksioni personal. Është dashur një 11-metërsh “bujar” në minutën e 90 për kampionët, që është shndërruar në gol nga Myler për të marrë tri pikët dhe fluturuar në krye të renditjes. Ka rënë në shtëpi Bajer Leverkusen, i cili është mundur nga Darmshtadi 1-0.