Premier Liga
Arsenali ngjitet në krye, Çelsi humbet
Arsenali fiton dhe fluturon në krye, ndërsa Çelsi shkon gjithnjë e më poshtë pas javës së dhjetë të Premier Ligës. Në javën e 10 të Premier Ligës, “topçinjtë” fitojnë 2-1 ndaj Evertonit me gola të Zhirud dhe Koshielnit, por kanë vuajtur në fund, pasi një goditje e traversës nga ana e Lukakut ka bërë të heshtë “Emirates Stdium”. Ndërkohë, blutë e Mourinjos, dështojnë sërish 2-1 në shtëpinë e Uest Hemit, i cili ngjitet në vendin e tretë. Fillimisht ka shënuar Mauro Zarate në minutën e 17. Në minutën e 44, londinezët mbeten me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të serbit Matiç, por në minutën e 59 kanë reaguar duke gjetur barazimin falë mbrojtësit Kahill. Por Uest Hemi dyfishon rezultatin në minutën e 79 me Endi Keroll, i cili gjunjëzon me kokë portierin Begoviç.
Bundesliga
Bajerni Mynih ecën me 1000 në orë!
Bajerni ka marrë fitoren e dhjetë në po kaq ndeshje të luajtura deri tani në Bundesligë, pasi ka mundur Këlnin 4-0. Ky ka qenë edhe suksesi numër 1000 për bavarezët në kampionatin gjerman. Arjen Roben, i cili nuk luante që nga java e tretë e kampionatit, është kthyer titullar dhe ka zhbllokuar takimin në minutën e 35. Vidal ka dyfishuar pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Në të dytën Levandovski ka çuar shifrat në 3-0 në minutën e 62, duke realizuar golin e tij të 13 në kampionat, para se Myler të realizonte “pokerin” bavarezëve në të 77-n me 11-metërsh. Skuadra e Guardiolës kryeson kampionatin me 30 pikë, 10 më shumë se Dortmundi i vendit të dytë, që luan sot kundër Augsburg. Ndërkohë Bajer Leverkusen ka bërë “çmendurinë” në ndeshjen ndaj Shtutgardit: nga 1-3, ka përmbysur rezultatin në 4-3.
La Liga
Reali thyen Seltën dhe “gdhihet” i pari
Sukses i rëndësishëm për Real Madridin në kampionatin spanjoll, i cili ka fituar 3-1 në “Balaidos” kundër Selta Vigos dhe tashmë kryeson La Ligën me 21 pikë, +3 ndaj rivalëve. Skuadra e Benitez gjen epërsinë me Ronaldon (‘8) dhe Danilon (’23) në pjesën e parë. Portugezi ka shfrytëzuar një asist të Vaskez dhe mbrojtja kundërshtare është hapur, duke e lejuar sulmuesin të godasë diagonal dhe të shënojë. Vendasit shkurtojnë largësinë e golave në minutën e 85 me Noliton, por në minutën e 95, Marselo mbyll llogaritë. Pas kësaj fitoreje, skuadra e Rafa Benitez mbetet e pathyeshme, duke mos pësuar asnjë humbje në nëntë javët e para dhe kryeson e vetme kampionatin me 21 pikë, ndërsa Selta mbetet në vendin e dytë me 18 pikë, po aq sa Barcelona, që do të luajë sot në “Kamp Nou” kundër Eibar.