Legjenda e peshëngritjes u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë
Sporti shqiptar ka humbur dje një nga figurat më të veçanta të tij, legjendën e peshëngritjes, Mirjan Hakani. Ish-shtangisti legjendar i viteve ’80 u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, e cila e kishte shqetësuar në vitet e fundit. Shumë qytetarë, përfaqësues të sportit, artit apo politikës kryen dje homazhe para trupit të të ndjerit në ambientet e kompleksit “Dinamo”, për të respektuar një figurë, e cila ia kushtoi gjithë jetën sportit shqiptar.
Mirjan Hakani filloi sportin e peshëngritjes në vitin 1971, si pjesë e klubit Tirana, ku u shpall kampion me pionierët dhe të rinjtë. Në vitin 1979, ai theu 8 rekordet e para kombëtare, duke u bërë pjesë e ekipit përfaqësues, ndërsa gjatë karrierës së tij të suksesshme do të vendoste 164 rekorde kombëtare, duke qenë kampion për 17 vjet. Legjendare ishin “betejat” e tij në ato vite me emra të shquar të shtangës kuqezi, si Aleksandër Kondo, Muharrem Berisha, Erlin Nikolla dhe Agron Haxhihyseni, të cilët e kthyen sportin e peshëngritjes në një nga më të ndjekurit në vendin tonë, duke frymëzuar brezat e ardhshëm për shumë vite në vazhdim. Në vitin 1983, ai u nderua me titullin e lartë “Mjeshtër i Sportit” dhe në vitin 1990 me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Pasi u largua nga pedana, Hakani punoi fillimisht si pedagog në Institutin e Arteve për të vazhduar më pas si mësues i edukimit fizik në shkollat “Mihal Grameno” dhe “Ismail Qemali”. Ai vetë e ka cilësuar këtë periudhë si ndër më të suksesshmet e karrierës, pasi në këto shkolla, falë insistimit të tij, u krijuan palestrat dhe komplekset e para të mirëfillta sportive, shembuj që më pas u përhapën në të gjithë Shqipërinë dhe që i sollën titullin “Mësues i Merituar”.
Në vitin 1993, pasi u emërua drejtori i Sportit në Bashkinë e Tiranës, realizoi brenda pak kohësh palestrën e parë të peshëngritjes në klubin Partizani. Falë punës së tij u rikonstruktua stadiumi “Selman Stërmasi” apo salla e lojërave me dorë “Farie Hoti”, ndërsa ishte ideator dhe organizator i dhjetëra aktiviteteve artistiko-sportive në Tiranë. Në vitin 2000 u emërua drejtor i Agjencisë së Shërbimit të Sportit, ndërsa në vitin 2006, u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Alfred Moisiu. Në vitin 2009, Mirjan Hakani u emërua drejtor ekzekutiv në klubin shumësportësh Partizani, detyrë që vazhdoi ta ushtronte me zell, edhe pse në vitet e fundit vuante nga zemra.
“Kjo është një ditë zie për sportin, pasi shuhet një legjendë, shuhet një emër i madh fizikisht. Por padyshim vepra e Mirjan Hakanit është shembull frymëzimi për të gjithë sportistët, jo vetëm për peshëngritësit”, ishin fjalët që tha dje pas homazheve ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, duke treguar më së miri se çfarë përfaqësonte për sportin shqiptar figura e Mirjan Hakanit.